Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit N.B., nga komuna Prishtinës, për shkak të dyshimit të bazuar për disa vepra penale. Sipas Prokurosisë, N.B dyshohet për “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, “Mashtrimi”, “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” dhe “Deklarimet e rreme”, raporton KosovaPress.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga data dy shkurt dymijë e dymbëdhjetë e në vazhdimësi në Shtime, i pandehuri N.B., gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike si person përgjegjës – drejtor dhe agjent i autorizuar i kompanisë “Tehno Invest” SH.P.K., në atë mënyrë që pas një marrëveshje paraprake në bashkëveprim, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vetën e tij dhe personit tjetër, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”.
“I njëjti nga data tre maj dymijë e dymbëdhjetë, e në vazhdimësi, pas një marrëveshje paraprake në bashkëveprim me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vetën e tij dhe personit tjetër, saktësisht ish të pandehurit si bashkëkryes M.Sh.,- tani më i ndjerë e në dëm të pasurisë së të dëmtuarit B.K, -kompanisë “Tehnopolis”, në atë mënyrë që duke e ditur se ish i pandehuri – bashkëkryesi M.Sh., nuk ka qenë pronar i paluajtshmërive, i pandehuri N.B., blen dhe siguron sendin, pasurinë e paluajtshme nga ish i pandehuri M.SH., të njëjtit realizojnë shitjen – blerjen e pasurisë së paluajtshme pa dijeninë dhe pa pëlqimin e pronarit të ligjshëm, me ç’rast të dëmtuarit B.K., dhe kompanisë “Techno Polis” i shkaktojnë dëm në shkallë të madhe, me këtë në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se i pandehuri me datë njëzet e katër prill dymmijë e njëzet e tre, e në vazhdimësi në rrugën “Tahir Sinani” në Shtime, saktësisht në Zyrën Noteriale – Notere Sh.S.,-T. i pandehuri me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vetën e tij, e në dëm të pasurisë së të dëmtuarit B.K., në atë mënyrë që gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike si person përgjegjës, drejtor dhe agjent i autorizuar i kompanisë “Tehno Invest” me qëllim të shfrytëzimit të dokumenteve të falsifikuara, ka vërtetuar një çështje të pavërtetë, duke e ditur se janë dokumente me përmbajtje të rreme, fillimisht vë në lajthim Agjensionin e Regjistrimit të Bizneseve – ARBK, duke falsifikuar, përdorur dhe dorëzuar dokumentet e falsifikuara si të vërteta – origjinale ashtu që vë në lajthim zyrën noteriale të lartshënuar, duke përpiluar Kontratën për Shitblerjen dhe Transferimin e të Drejtës së Qirambajtjes për 99 vite të Paluajtshmërisë të datës 24.04.2023, me ç’rast të dëmtuarit B.K., i shkakton dëm në shkallë të madhe.
“Ndërsa, me datë tridhjetë e një janar dymijë e njëzet e katër, në rrugën “Tahir Sinani”, në Shtime, saktësisht në Zyrën Noteriale të lartëshënuar, i pandehuri me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vetën e tij, e në dëm të pasurisë së të dëmtuarit B.K., në atë mënyrë që gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike si person përgjegjës, drejtor dhe agjent i autorizuar i kompanisë “Tehno Invest” nga i dëmtuari, aksionar B.K., kompania “Tehnopolis” ashtu që me qëllim të shfrytëzimit të dokumenteve të falsifikuara, ka vërtetuar një çështje të pavërtetë, duke e ditur se janë dokumente me përmbajtje të rreme, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm të madh, dëm substancial,- me këtë në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, thuhet në njoftim, shkruan KosovaPress.
Kurse, sipas njoftimit nga data njëzet e katër korrik dymijë e dymbëdhjetë, e në vazhdimësi në rrugën “Tahir Sinani” në Shtime, saktësisht në Zyrën Noteriale të lartshënuar, i pandehuri duke keqpërdorur autorizimin, realizon shitjen e pasurisë së paluajtshme, pa dijeninë dhe pa pëlqimin e pronarit të ligjshëm, përpilon kontrata për shitblerjen e paluajtshmërive, me ç’rast të dëmtuarit B.K., i shkakton dëm në shkallë të madhe.
Ndërkaq, prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.