Deputetët e Parlamentit Evropian miratuan sot raportet për Serbinë dhe Kosovën, të hartuara nga Tonino Picula dhe Riho Terras.
Raportet janë përgjigja e Parlamentit ndaj Raporteve të Komisionit Evropian 2023 dhe 2024 për dy vendet kandidate, raporton KosovaPress.
Raporti për Serbinë u mbështet nga 419 eurodeputetë, ndërsa 113 deputetë votuan kundër dhe 88 abstenuan. Ndërkaq, pro rezolutës për Kosovën votuan 353 eurodeputetë, kundër 145 dhe abstenuan 78.
Votimit i ka paraprirë një debat në seancën plenare të PE-së në mbrëmjen e djeshme, gjatë të cilit raportuesit prezantuan gjetjet kryesore, ndërsa komisionarja Evropiane për Zgjerim Marta Kos prezantoi qëndrimin e saj.
Të martën në mbrëmje, Parlamenti Evropian zhvilloi një debat për raportet e fundit për Serbinë dhe Kosovën, të prezantuara nga raportuesit Tonino Picula dhe Riho Terras.
Thirrje për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras (EPP), deklaroi se vazhdimi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe normalizimi i marrëdhënieve janë vendimtare për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Ai gjithashtu bëri thirrje për heqjen e sanksioneve të BE-së kundër Kosovës.
“Mbajtja e dialogut është absolutisht thelbësore për ta mbajtur Kosovën në kursin e saj evropian”, tha Terras gjatë prezantimit të raportit të tij.
Ai theksoi rëndësinë e një gjyqësori të pavarur, lirinë e shtypit dhe transparencën e pronësisë së mediave në Kosovë.
“Këto dhe çështje të tjera kanë nevojë për përmirësim,” tha ai, duke shtuar se BE-ja gjithashtu duhet të bëjë pjesën e saj për të mbështetur agjendën e reformave të Kosovës.
“Ne bëjmë thirrje për heqjen e menjëhershme të sanksioneve të BE-së. Ato nuk kanë qenë kurrë të drejta dhe kanë qenë të panevojshme që nga fillimi,” tha Terras, duke theksuar se shumë programe mbështetëse të reformave në Kosovë varen nga financimi i BE-së.
Ai shprehu shpresën se ngërçi institucional në Kosovë do të zgjidhet së shpejti me zgjedhjen e presidentit të ri dhe formimin e qeverisë që do të punojë për ringjalljen e dialogut me Beogradin.
Terras gjithashtu u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë.
Komisionarja Kos nënvizoi se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një kërkesë kyçe për rrugën evropiane të Kosovës. “Dialogu nuk ka alternativë. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është kusht thelbësor për anëtarësimin e Kosovës në BE”, tha ajo në fillim të debatit për raportin e Terras, i cili pasoi prezantimin e raportit të Piculës për Serbinë.
Ajo theksoi nevojën për një vazhdim “të fortë dhe konstruktiv” të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Kosova dhe i gjithë rajoni i përkasin BE-së dhe ne do të qëndrojmë pranë Kosovës në këtë rrugë”, tha ajo.
Kos përshëndeti zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, duke theksuar se ato u mbajtën në mënyrë paqësore dhe me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve. Ajo tha se vendi është gati të reformojë institucionet e tij dhe duhet të lëvizë shpejt për ta bërë këtë.
“Duhet të nënshkruhet dhe ratifikohet marrëveshja për mekanizmin reformues. Kuvendi duhet ta mbështesë dhe është kusht për marrjen e fondeve të BE-së. Kosova duhet të përshpejtojë reformat ligjore”, tha Kos, duke theksuar se këto reforma do të mundësojnë përparim në rrugën drejt BE-së.
Ajo vlerësoi gjithashtu përafrimin e Kosovës me BE-në për luftën në Ukrainë, duke e quajtur atë një demonstrim të qartë të orientimit strategjik.
Tonino Picula, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, prezantoi raportin e tij të parë mbi vendin, duke theksuar korrupsionin e përhapur sistemik, nepotizmin dhe mungesën e mekanizmave adekuat mbikëqyrës – të simbolizuar, tha ai, nga shembja tragjike e një tende në Novi Sad nëntorin e kaluar që mori 16 jetë.
“Mediat nuk janë kryesisht as të lira dhe as të qasshme për të gjithë, REM (Autoriteti Rregullator për Mediat Elektronike) është jofunksional, gjyqësori zbaton drejtësinë në mënyrë selektive dhe ata që vënë në dukje problemet përballen me sulme publike,” tha Picula, duke përshkruar situatën politike në Serbi.
Ai theksoi se raporti i tij është hartuar në kushte të karakterizuara nga praktika jodiplomatike, akuza të pabaza, manipulime dhe sulme personale.
Edhe komisionarja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, iu drejtua Parlamentit, duke i kërkuar Serbisë që të përshpejtojë përpjekjet e saj dhe të japë rezultate të prekshme në luftimin e korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Ajo theksoi rëndësinë e shoqërisë civile, nevojën për të mbrojtur zërat e pavarur dhe përgjegjësinë kolektive për të luftuar dezinformimin dhe manipulimin që gërryen besimin demokratik.