Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka theksuar krizën e afërt të biznesit në vend, si pasojë e çmimeve të reja të energjisë elektrike, pasi bizneset që kanë marrë ofertat e para nga furnizuesit e licencuar për daljen në tregun e lirë të energjisë, po përballen me çmime deri në 200 për qind më të larta se sa ato që paguanin deri më tani.
Rafuna në një konferencë për media, paralajmëroi për rritje të inflacionit.
Ai kërkoi pezullimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë dhe shtyrjen për të paktën një vit të daljes së bizneseve me mbi 50 punëtorë në tregun e lirë.
“Bizneset kanë filluar të marrin ofertat e para dhe ato që kanë marrë janë 200 për qind më shtrenjtë se çmimi i energjisë elektrike që kanë marrë deri sot. Kjo situatë, bizneset do të shkojnë kah falimentimi si rezultat i çmimit të energjisë elektrike, sepse nuk kanë mundësi të ekzistojnë me këtë çmim të energjisë elektrike që po ofrohet nga ana e furnizuesve të licencuar. Ne edhe pranë Qeverisë dhe ZRRE-së kemi ngritur shqetësimet dhe kemi kërkuar që dalja në tregun e lirë të shtyhet dhe rritja prej 16 për qind të suspendohet. Ka mekanizma që Qeveria ta subvencionojë ose të ndihmojë biznesin të kalojë sa më lehtë këtë periudhë të mosdaljes në tregun e lirë. Kërkesa jonë për institucionet e vendit është të pezullohet vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe të pezullohet për së paku një vit që bizneset që kanë të punësuar mbi 50 punëtorë të dalin në tregun e lirë. Duhet të kuptojnë të gjitha partitë politike që gjendja është shumë shqetësuese sa i përket bizneseve.”, tha ai.
Përveç krizës energjetike, Rafuna shprehu shqetësim edhe për bilancin tregtar të vendit, duke nënvizuar se dobësimi i prodhimit vendas do të thellojë më tej deficitin tregtar dhe do të rëndojë edhe më shumë qytetarët dhe ekonominë e Kosovës.
“Duhet parasysh edhe prodhimin. Të dhënat po na tregojnë se prodhimi i Kosovës është duke rënë. Sot, kur ende nuk kanë dalë në tregun e lirë, është duke rënë. Tregu nuk është i mirë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në tregun e BE-së. Shqetësuese është se inflacioni është duke u rritur dhe do t’i godasë qytetarët e Kosovës. Edhe pse në vitin 2024 e kemi mbyllur me 1.6 për qind, menjëherë për katër muaj, inflacioni ka filluar me tendencë rritjeje. Dhe do të shkojë duke u rritur edhe më shumë nëse do të vazhdohet me këtë kërkesë për të dalë në tregun e lirë dhe për të shkuar me çmimin e rritjes së energjisë për pagesë”, ka nënvizuar Rafuna.
Sipas tij, me këtë çmim të energjisë elektrike nuk do të ketë investitorë.
“Kur jemi te bilanci tregtar i mallrave, këto janë të dhëna zyrtare që janë shumë shqetësuese për të gjitha institucionet e vendit tonë dhe për të gjitha partitë politike që janë prezent në Kuvend. Kërkojmë që sa më shpejt të themelohen institucionet që të ndërmarrin hapat për të shpëtuar biznesin, ta shpëtojmë ekonominë e vendit tonë. Shikoni se me çfarë trendi është duke u rritur importi, kurse eksporti është duke na rënë. Importi e ka kaluar vlerën për katër muaj mbi 2 miliardë, ndërsa eksporti ka rënë në 275 milionë. Për këta 4 muaj, bilanci është thelluar mbi 18.83 për qind, afërsisht 19 për qind, dhe kjo është shumë shqetësuese, sepse prodhimi jonë është duke humbur. Territorin e prodhimit tonë është duke e marrë importi dhe janë duke na shfrytëzuar të gjitha vendet e rajonit dhe të BE-së dhe më gjerë, ku po importojmë. Me këtë çmim të energjisë elektrike nuk do të ketë investitorë – as të brendshëm, as të huaj”, ka thënë ai.