Në botën e modës dhe bukurisë që gjithmonë ndryshon, pak familje të famshme kanë pasur një ndikim të madh sa Kardashians. Nga ditët e tyre të para në television e deri më tani, ato shpesh kanë qenë në krye të ndryshimit të trendeve të trupit dhe kanë udhëhequr vazhdimisht ndryshimet në standardet e bukurisë trupore.
Në fillim të viteve 2000, trupi i hollë dhe atletik ishte standardi dominues, me figura si Kate Moss dhe Nicole Richie që përfaqësonin idealin e asaj kohe. Megjithatë, me ngritjen e motrave Kardashian — veçanërisht Kim Kardashian — u hap rruga për një estetikë të re: format e plota dhe trupat me linja të theksuara. Kim u bë simbol i një forme trupore më voluminoze, duke e zhvendosur diskursin publik për atë që konsiderohej “bukuri” në Hollyëood. Stilistë dhe ekspertë të industrisë së modës kanë pohuar se ndikimi i saj ndihmoi në përqafimin e diversitetit trupor, pavarësisht madhësisë apo formës.
Me rritjen e rrjeteve sociale, sidomos Instagramit, ndikimi i Kardashianëve u rrit në përmasa globale. Përmes ndarjes së jetës së tyre luksoze, stilit dhe rutinave të bukurisë, Kim, Khloé dhe Kylie ndërtuan një ndjekje masive duke promovuar një lloj pozitiviteti për trupin, megjithëse shpesh i filtruar përmes ndërhyrjeve estetike.
Por sot, duket se kemi hyrë në një epokë të re. Pas viteve të ndërhyrjeve për zmadhimin e tipareve trupore, Kardashianët po përqafojnë një kthesë drastike zhbërjen e këtyre procedurave. Kirurgu plastik Darren Smith, në një intervistë për The Hollyëood Reporter, vuri në dukje se disa anëtare të familjes kanë shpërbërë mbushësit e buzëve, kanë hequr implantet e gjoksit dhe madje kanë reduktuar përmasat e vitheve.
Ndërkohë, fansat përballen me një presion gjithnjë e më të madh për të ndjekur këto trende që ndryshojnë shpejt. Ndërsa yjet mund të zhduken për disa javë dhe të rikthehen me një trup të ri, shumica e njerëzve nuk kanë luksin për transformime të tilla. Dr. Hoëard Sobel tregon se shpesh pacientët kërkojnë të ngjajnë me fytyrat e famshme, pa marrë parasysh që nuk kanë strukturën bazë të përshtatshme për rezultate realiste. “Vijnë me foto të personazheve të famshëm si Kardashians dhe kërkojnë të njëjtën pamje, ndonëse nuk kanë aspak të njëjtën fizionomi”, shpjegon ai.
Ndikimi i Kardashians në industrinë estetike ka qenë i dukshëm edhe më herët. Në vitin 2013, pasi Kim postoi për trajtimin e mikronidelimit me plazmë të pasur me trombocite (PRP), kjo procedurë u bë një nga më të kërkuarat në fushën e kozmetikës. Ajo nxit prodhimin e kolagjenit dhe përmirëson pamjen e lëkurës, duke i dhënë asaj një efekt më të ri e të freskët.
Gjithashtu, gjatë dekadës së fundit ka pasur një rritje të madhe të interesimit të procedurës BBL (Brazilian Butt Lift), një ndërhyrje që përfshin transferimin e dhjamit nga pjesë të tjera të trupit në vithe. Kjo procedurë u bë trend global, kryesisht falë pamjes ikonike të Kim dhe Khloe Kardashian.
Tani, me kthimin pas të trendeve dhe një qasje më natyrale ndaj bukurisë, mbetet për t’u parë nëse Kardashianët do të udhëheqin një epokë të re apo nëse ky është thjesht një tjetër kapitull i përkohshëm në rrugëtimin e tyre të pandalshëm për formësimin e bukurisë moderne./ NO FILT/