Bllokada për konstituimin e Kuvendit të Kosovës po vazhdon, teksa edhe përpjekja e fundit për zgjedhjen e kryeparlamentarit ka dështuar. Refuzimi i opozitës për të lejuar votimin e fshehtë ka nxitur reagime nga Lëvizja Vetëvendosje.
Deputeti i kësaj partie, Hekuran Murati, duke komentuar zhvillimet e fundit, ka akuzuar partitë opozitare se po pengojnë procesin e konstituimit të Kuvendit.
“PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe refuzuan ta zhbllokojnë procesin”, u shpreh Murati para gazetarëve, duke rikujtuar se një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 mundëson votimin e fshehtë në këtë fazë.
Sipas tij, qëndrimet e këtyre partive, që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, janë “joracionale” dhe tregojnë mungesë vullneti për të ecur përpara në krijimin e institucioneve të reja.
Pavarësisht refuzimit të votimit të fshehtë nga opozita, Murati tha se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në krye të Kuvendit.