Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar për tetë shërbime të reja digjitale të rëndësishme në e-Kosova, që sipas tij e rritin numrin e shërbimeve elektronike në mbi 230 sosh.
Platforma tashmë është e qasshme edhe përmes aplikacionit mobil në sistemet iOS dhe Android, duke e bërë më të lehtë për qytetarët aksesin në shërbime të ndryshme publike.
Me mbi 1 milion përdorues të regjistruar, e-Kosova vazhdon të zgjerojë kapacitetet e saj dhe të sjellë administratën më afër qytetarëve.
“Me më shumë shërbime digjitale, po e bëjmë shtetin më efikas dhe qytetarin më të përfshirë,” ka shkruar Kurti.
Përdoruesit e platformës mund të kryejnë shërbime të ndryshme si aplikime për dokumente zyrtare, pagesa administrative, dhe kërkesa për informata, pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në institucionet përkatëse.