Si simbol i qëndresës por edhe i luftës për të vërtetën, u kujtua të hënën Bajram Çerkinaj i cili ishte kryetar i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur. Ai vdiq këtë vit, pa ditur asgjë për fatin e djalit të tij të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur tha se po përballen me sfida për identifikimin e personave të zhdukur.
Në shënimin e Ditës Kombëtare për Personat e Zhdukur, u bë e ditur se gjatë këtij viti u janë dorëzuar familjeve mbi 20 mbetje mortore për rivarrim.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur tha se po përballen me sfida për identifikimin e personave të zhdukur me forcë.
“E para, mungesa e informacioneve të besueshme apo informacioneve kredibile që për ne si Komisioni Qeveritar, nënkupton një mungesë të gatishmërisë për bashkëpunim nga pala serbe nga institucionet e Beogradit. Sidomos me mungesën e gatishmërisë për të vënë në funksion ose për të ofruar qasje në dokumentet kyçe. Rrjedhimisht kjo pengon thellësisht zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Krahas të parës, sfidë që mbetet po ashtu edhe sfida e madhe e që rëndon çdo ditë mbi shpresën është faktori kohë. Siç e thoshte baca Bajram: plakja si proces nuk po e shuan dhimbjen për ata që na mungojnë”, deklaroi Gara.
Ai tha se që nga paslufta, brenda territorit të Kosovës janë gërmuar më shumë se dy mijë lokacione.
“Vetëm gjatë këtij viti, përkundër kushteve të papërshtatshme të cilat nuk preferoheshin që të jenë ditë të angazhimit por kemi katër lokacione të adresuara në kuptim të gërmimit vlerësues. Duke filluar me një lokacion në komunën e Malishevës, një lokacion në komunën e Podujevës në të cilën ka rezultuar me mbetje dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore minimumi të një personi apo indidividi, duke rezultuar pastaj me një lokacion në komunën e Prishtinës dhe një në komunë të Klinës… Vetëm gjatë këtyre katër muajve, familjeve u janë dorëzuar për rivarrim mbetjet mortore, kufomat apo eshtrat e 25 viktimave”, shtoi ai.
Baki Svirca nga Ministria e Drejtësisë tha se strategjia për drejtësi tranzicionale i ka në fokus personat e pagjetur.
“Pas shumë diskutimeve, konsultimeve, debateve edhe analizave që janë bërë, në qershor të vitit të kaluar ne kemi arritur ta miratojmë strategjinë, më 13 qershor. Dhe në këtë dokument, një prej fokuseve themelore apo baza ose vëmendja janë edhe personat e pagjetur. Mbi këtë bazë unë do t’i përshkruaj disa aktivitetet, veprimet ose nevojat që strategjia i parasheh në raport me të drejtat e personave të pagjetur. Fillimisht, strategjia është edhe platformë dhe dokument strategjik i cili ka identifikuar nevojat duke u bashkërenduar me institucionet që merren me këtë fushë”, përfundoi ai.
Mërgim Memoviq nga Qendra Burimore për personat e zhdukur tha se koha po e rëndon dhimbjen.
“Për neve si qendër burimore kjo datë sot është edhe më e vështirë për ta përkujtuar sepse sot nuk e kemi shtyllën e organizatës tonë, por jo vetëm nuk e kemi figurën që e ka nisur këtë çështje në vitin 1998 e tutje e që fatkeqësisht nuk gjendet më në mesin tonë, po flasim për bacën Bajram Çerkinaj. Një figurë e cila u bë simbol i qëndresës por edhe i luftës për të vërtetën, baca Bajram bashkë me urtësinë e tij por edhe vendosmërinë e tij gjithmonë ishte në ballë të kësaj beteje duke mos u ndalur asnjëherë edhe për shkak të moshës së shtyrë deri në frymën e fundit. Baca Bajram nuk e jetoi jetën vetëm me dhimbjen e tij personale, që ka shkuar edhe pa ditur fatin e djalit të tij, por edhe me dhimbjen e mijëra familjeve”, tha ai.
Në adresimin e familjarëve, Negovan Mavriq tha se nga institucionet duhet të kërkohet që fati i të zhdukurve të zbardhet.
“Një njeri i cili nuk ka luftuar vetëm për djalin e vet, jo vetëm për shqiptarët por nuk i ka ndarë njerëzit me përkatësi etnike. Dhe jemi falënderues që ka ndërtuar një qendër burimore ku lirshëm mund të kërkojnë të gjithë për personat e zhdukur…. 1600 familje i kemi të cilët kërkojnë për më të dashurit e tyre dhe nuk e dinë për fatin e tyre dhe për këtë arsye jemi këtu që të kërkojmë nga institucionet edhe këtu edhe në Beograd dhe gjithkund që fati i të zhdukurve të zbulohet. Prindërit janë duke vdekur, familjet janë duke vdekur dhe nuk e dinë fatin e më të dashurve”, u shpreh ai.
Gordana Dikanoviq nga organizata “Viktimat e Kosovës”, theksoi se vitet po kalojnë por pa zgjidhje për personat e zhdukur me forcë.
“Familjet e 1600 personave të zhdukur këtu në Kosovë nga komunitete të ndryshme etnike, nuk mund të flas në emrin e të gjithëve por e ndajmë një dhimbje… shumë vite po kalojnë, nuk ka zgjidhje. Prindërit po shkojnë, bashkëshortet po shkojnë pa e kuptuar për fatin e tyre… Kur flisni për personat e zhdukur, kur mendoni për personat e zhdukur të mendoni për të gjitha viktimat”, shtoi ajo.
Në Kosovë mungojnë mbi 1.600 persona të zhdukur me dhunë nga focat serbe gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë.