Njëri nga anëtarët më të rëndësishëm të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, Stavri Bello, i cili është nga Shqipëria dhe që njëkohësisht është edhe kryetar i Komisionit të Koordinimit për Lojërat Mesdhetare ‘Taranto 2026’ ka folur për rëndësinë që ka organizimi i këtyre lojërave në Kosovë në vitin 2030, por edhe për drejtimin që shteti ynë duhet të ndjekë për të mos rrezikuar humbjen e së drejtës për t’i organizuar ato.
Në një intervistë për KosovaPress, Bello ka thënë se marrja e këtij organizimi ishte hap shumë i madh për Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), por edhe për vetë shtetin e Kosovës.
“Pa dyshim, kjo ka qenë një nga lëvizjet më të bukura të Kosovës, në mënyrë të veçantë të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës që vendosën t’i organizojnë në vitin 2030, vendosën kandidaturën dhe fituan të drejtën që të organizojnë Lojërat Mesdhetare 2030. Rëndësia e këtij eventi për shtetin e Kosovës dhe jo vetëm, por edhe për Shqipërinë, është e madhe, sepse evidenton jo vetëm vlerat sportive, por një gatishmëri për të ofruar pritshmërinë, për të ofruar mikpritjen e të gjithë sportistëve në vendet mesdhetare. Sigurisht që ka shumë punë për t’u bërë, hapi i parë dhe më i rëndësishëm është që është fituar e drejta e organizimit të tyre. Tani mbetet në dorën e dy vendeve, Kosovës kryesisht por edhe të Shqipërisë që organizimi i këtij eventi kaq madhor të jetë i suksesshëm”, tha Bello.
Ai ka rekomanduar që ndërtimi i infrastrukturës dhe impianteve të reja sportive për këto lojëra të bëhet në koordinim të plotë me federatat ndërkombëtare sportive, duke shmangur ndonjë shkelje të procedurave.
“Ka shumë mundësi për Kosovën për ndërtimin e infrastrukturës sportive, nuk është e lehtë, por mundësia më e mirë është që të ndërtohet një infrastrukturë moderne. Pesë vjet ka kohë nëse sigurohet buxheti i mjaftueshëm që kjo infrastrukturë të mos ndërtohet shpejt e shpejt, dhe të shkelim procedura, por kjo të ndërtohet në kushte normale dhe me miratimin e federatave ndërkombëtare, të cilat kanë kushtet e tyre, në mënyrë që të mos mendohet vetëm për lojërat e 2030-tës, por kjo infrastrukturë të jetë e qëndrueshme edhe për veprimtari pas 2030-tës, që federatat ndërkombëtare mund t’i organizojnë në Kosovë”, tha Bello
Bello ka bërë thirrje që bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe KOK-ut të jetë shumë i ngushtë, pasi vetëm kjo rrugë e garanton suksesin.
“Unë mund të them se si procedon Komiteti Mesdhetar se nënshkruesi i kontratës së qytetit mikpritës të lojërave të ardhshme është bashkia e qytetit së bashku me Komitetin Olimpik. Sigurisht, bashkëpunimi me qeverinë është i rëndësishëm, sepse qeveria do të financojë. Pra, rruga më e mirë që do të sugjeroja është bashkëpunimi, mund të duket pak i vështirë, por asnjëherë i pamundur, sepse bëhet për të mirën e përbashkët të të gjithë hapësirës shqiptare kudo që është dhe do të jetë një sukses në radhë të parë i shtetit të Kosovës”, tha Bello.
Për organizimin e këtyre lojërave, Qeveria e Kosovës ka ndarë buxhet prej 250 milionë euro, shifër kjo e cila, sipas Bellos, mund të mos mjaftojë.
“Organizatorët kanë përgatitur një master-plan dhe në bazë të këtij master-plani kanë evidentuar nevojat që kanë për infrastrukturë sportive, kryesisht në ato disiplina sportive, të cilat nuk disponojnë për momentin infrastrukturë të miratuar nga federatat botërore dhe derisa ky buxhet është miratuar, kjo është shumë pozitive, sepse jep mundësinë e fillimit të punës. Sigurisht, gjatë rrugës do të ketë edhe rregullime të buxhetit që nënkupton shtesa të buxhetit, sepse organizimi i lojërave nuk ka vetëm infrastrukturën sportive, por duhet edhe një buxhet tjetër funksional për organizimin dhe funksionimin e Komitetit Organizator”, tha Bello.
Ai gjithashtu tregon se a rrezikon Kosova ta humbë të drejtën e organizimit të kësaj ngjarje të madhe sportive nëse nuk ia del të jetë gati me infrastrukturë sportive.
“Nuk e besoj, por sigurisht kjo është çështje e gjykatave dhe do ta zgjidhin. Unë dëshiroj më të mirën për ecurinë e punimeve dhe zgjidhja gjithmonë brenda marrëveshjes është pozitive, jo vetëm për njërën palë, por për të gjithë bashkë ne. Ekziston një rast kur vetë shteti, për arsye të krizës financiare, ka hequr dorë nga organizimi i lojërave dhe në harkun kohor prej vjetësh i është dhënë një shteti tjetër i cili e ka realizuar me sukses. Por, nuk besoj asnjëherë që do t’i ndodhë kjo Kosovës”, tha Bello.
Punë më intensive në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare është kërkuar edhe nga Massimo Ferrarese, president i Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare ‘Taranto 2026.’
Ferrarese për KosovaPress ka thënë se punimet për ndërtimin e impianteve sportive duhet të fillojnë sa më shpejt dhe bashkëpunimi ndërmjet politikës dhe shtëpive sportive të jetë sa më i ngushtë, pasi në të kundërtën rrezikohen vonesa që sjellin pasoja në mbarëvajtjen e kësaj ngjarje sportive.