Pas arrestimit të tre personave të kombësisë serbe për krime lufte, Lista Serbe ka publikuar një deklaratë ku akuzojnë kryeministrin në dorëheqje Albin Kurti për, siç pretendojnë ata, “katër vjet terror ndaj serbëve”.
Lista Serbe thotë se “praktika e arrestimeve të pabaza të bashkatdhetarëve tanë duhet të ndalet”, transmeton Paparaci.
Ata thonë se përgjegjësinë më të madhe për një praktikë të tillë e kanë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, nga EULEX-i, përmes ambasadave të KUINT-it, UNMIK-ut e të tjerëve, të cilët, sipas tyre, asnjëherë nuk kanë dalë me të dhëna për rastet në të cilat “në mënyrë magjike pas dy dekadash dalin dëshmitarë që duket se dinë diçka sot, por nuk e kanë ditur gjithë këto vjet”.
Në të gjitha takimet me përfaqësuesit ndërkombëtarë, Lista Serbe do të insistojë në respektimin e prezumimit të pafajësisë dhe sundimit të ligjit, e jo forcës, siç e ka vendosur regjimi i Kurtit”, pretendohet në komunikatën e tyre për media.
Lista Serbe thotë se “regjimi i Albin Kurtit”, siç thonë ata, terrorin katërvjeçar kundër serbëve të Kosovës po përfundon në të njëjtën mënyrë – “si rregull, ndalon serbët për krimet më të rënda pa asnjë provë para të gjithë përfaqësuesve ndërkombëtarë. Për t’i bërë gjërat më keq, arrestimet bëhen gjatë periudhës së Pashkëve, duke e tmerruar edhe më shumë popullin serb”.
Ata thonë se Kurti “nuk mund të pajtohet me disfatat në Kuvendin e Kosovës dhe me veprime të tilla po mundohet të largojë vëmendjen nga problemet e tij dhe nga pamundësia për të miratuar propozimin e tij për kryetar të Kuvendit”.