Për herë të katërt brenda pak ditësh, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sot nga ora 15:00 në përpjekje për ta konstituuar legjislaturën e re.
Procesi ka hasur në pengesa që nga seanca e parë konstituive më 15 prill, e cila u ndërpre për shkak të mosmarrëveshjeve për verifikimin e mandateve të deputetëve. Partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK – kundërshtuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve, duke kërkuar dorëheqje formale nga anëtarët e Qeverisë që ishin zgjedhur deputetë.
Pas një ndërprerjeje të dytë më 17 prill dhe një tentative të tretë më 19 prill, më në fund u arrit konsensus për të votuar raportin e Komisionit të përkohshëm, duke i hapur rrugë betimit të deputetëve.
Deputetët u betuan me formulën kushtetuese, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit. Megjithatë, ajo nuk arriti të zgjidhet në dy raunde votimi – duke marrë 57 vota për, 20 kundër dhe tre abstenime – një numër i pamjaftueshëm për zgjedhje.
Seanca u ndërpre për herë të tretë, ndërsa sot pritet tentativa e katërt për konstituim të Kuvendit. Vëmendja është përqendruar tek qëndrimet e partive opozitare, të cilat kanë paralajmëruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Haxhiut.
A do të ketë zgjidhje sot apo do të përsëritet skenari i ditëve të kaluara, mbetet të shihet në vazhdim. /atvlive.tv
Të gjitha zhvillimet e fundit mund t’i përcillni drejtpërdrejt në ATV, në videon më poshtë: