Përgatiti: Alma Hysenaj
Me lutjet për paqe dhe dashuri mes njëri tjetrit, filloi mesha ceremoniale e Pashkëve në katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.
Famullitari, Don Agim Qerkini u shpreh se me lutjet e tyre, të kujtojnë të moshuarin, të vetmuarin e të sëmurin që Zoti me anë të lutjeve t’i forcojë në vështirësi të jetës.
“Populli ynë dhe i gjithë njerëzimi, sot kanë shumë nevojë për një paqe të vërtetë, të trefishtë me Zotin, të afërmin, me vetveten, ta lusim Krishtin që paqja e tij të mbretërojë në mbarë botën…”, tha Qerkini.
Në fjalimin e tij drejtuar besimtarëve, tregon arsyen për pjesëmarrjen e gjithë këtyre besimtarëve në meshë.
“Besojmë në një Zot të gjallë, dhe jo vetëm por të gjallë e të pranishëm në mesin tonë. Mëngjesi i kësaj dite thirret në disa shprehje…”, tha Qerkini.
Ndërsa, edhe mbrëmë ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji ka përçuar mesazhin e paqes dhe harmonisë, në po të njëjtin vend.
“Edhe pse kjo Pashkë na gjen në një botë të përgjakur, në një Evropë të përçarë dhe në një Kosovë që rënkon nën barrën e papërgjegjësisë politike, pasigurisë për të ardhmen dhe ndarjeve të panevojshme, jemi të ftuar të ruajmë qetësinë e shpirtit”, tha Gjergji.
Pas meshës solemne, nga ora 19:00 është planifikuar edhe pritja solemne në Qendrën “BogdaniPolis”, organizuar nga ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.
Pashkët, janë kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik i Kishës Katolike dhe i kishave të tjera të krishtera, të cilat kremtojnë Ringjalljen e Jezusit.