PËRGATITI: ARMAND HOTI
Krahas betimit për deputetë, që s’e bënë, ligjvënësve të sapo zgjedhur, të enjten para hyrjes së Kuvendit, iu kërkua ta bëjnë edhe një betim tjetër.
Veteranët nga Organizata e Veteranëve të Luftës, ua zunë pritën në dyja hyrjet e Kuvendit, për t’u kërkuar të betohen për një sërë masash karshi Gjykatës Speciale.
Referuar tekstit, deputetët mes tjerash, duhet të betohen edhe për krijimin e një mekanizmi mbikëqyrës ndaj Speciales.
“Meqenëse edhe Amerika po thotë që ata po përballen me padrejtësi, ne po kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës, që së paku ta bëjë një organ mbikëqyrës të kësaj gjykatë, por pse jo edhe të bëjë diçka në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut që atje janë duke u shkelur vazhdimisht”, deklaroi Faton Klinaku nga OVL-UÇK.
Tekstin e pranuan disa nga qeveritarët në detyrë. Aty për aty nuk e nënshkroi, por betimin e mori me vete ministrja në detyrë e punëve të jashtme.
Njësoj veproi edhe ministri në detyrë i mbrojtës dhe ajo e drejtësisë.
Sidoqoftë, veteranëve nuk iu ndal ai që e udhëhoqi Qeverinë për katër vjet.
Disa deputet e nënshkruan edhe aty për aty.
“Disa po e nënshkruajnë këtu fizikisht, disa po e marrin që ta lexojnë dhe pastaj ta nënshkruajnë”, tha Klinaku.
Kërkesë e veteranëve është edhe kthimi i selisë së Gjykatës në territorin e Kosovës.