Qeveria e SHBA-së ka kërcënuar ta ndalojë Universitetin e Harvardit nga regjistrimi i studentëve të huaj, pasi institucioni deklaroi se nuk do t’i nënshtrohet kërkesave të administratës së Donald Trump.
Shtëpia e Bardhë ka kërkuar që universiteti më i vjetër në SHBA të bëjë ndryshime në praktikat e punësimit, pranimit dhe mësimdhënies, të cilat, sipas saj, do të ndihmojnë në luftimin e antisemitizmit në kampus, raporton BBC News.
Sekretarja për Sigurinë Kombëtare, Kristi Noem, të mërkurën akuzoi këtë universitet prestigjioz të Ligës Ivy se po “kërcënon sigurinë kombëtare” dhe se po “i përkulet antisemitizmit”.
Ajo gjithashtu kërkoi dokumente mbi aktivitetet “të paligjshme dhe të dhunshme” të mbajtësve të vizave studentore të huaja në Harvard. Studentët ndërkombëtarë përbëjnë mbi 27% të regjistrimeve në Harvard këtë vit.
“Universiteti nuk do të dorëzojë pavarësinë e tij dhe as nuk do të heqë dorë nga të drejtat e tij kushtetuese”, shkroi presidenti i Harvard-it, Alan Garber, në një mesazh të hënën drejtuar komunitetit universitar.
Në lojë janë miliarda dollarë – autoritetet kanë ngrirë 2.2 miliardë dollarë në fonde federale, ndërsa Trump më herët ka kërcënuar gjithashtu të heqë përjashtimin tatimor të universitetit, humbja e të cilit mund t’i kushtojë Harvard-it miliona dollarë çdo vit.
“Harvardi nuk mund të konsiderohet më as si një vend i mirë për të mësuar, dhe nuk duhet të përfshihet në asnjë listë të Universiteteve apo Kolegjeve më të Mëdhenj në Botë”, tha Trump në Truth Social të mërkurën.
“Harvardi është një shaka, mëson urrejtje dhe marrëzi, dhe nuk duhet të marrë më fonde federale”.
Sulmet e administratës ndaj Harvard-it nuk janë të izoluara. Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump propozoi një ndërprerje të financimeve për universitetet, duke i paraqitur ato si armiqësore ndaj konservatorëve, transmeton KP.