Një raport i ri i Institutit të Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë (EUISS) paralajmëron për dobësimin serioz të demokracisë dhe rritjen e manipulimit informativ në Serbi, duke theksuar përkeqësimin e klimës politike dhe mediale që ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin e rajonit dhe perspektivën evropiane të vendit.
Në raportin me titull “Getting the Information Threat Right”, ekspertët nënvizojnë se protestat masive që po zhvillohen në Serbi që nga nëntori 2024 përbëjnë sfidën më serioze për regjimin e presidentit Aleksandar Vuçiq që nga ardhja e tij në pushtet.
Raporti identifikon një model të qartë të raportimit negativ për BE-në nga mediat konservatore dhe proqeveritare në Serbi, veçanërisht gjatë periudhës prill–maj 2024. Në atë kohë, temat e ndjeshme si anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, bllokadat në Dialogun Beograd–Prishtinë dhe rezoluta e OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, u shfrytëzuan nga mediat serbe për të përhapur narrativa kundër BE-së. Në raport theksohet se përmendja e Kosovës në kontekst të përparimeve ndërkombëtare është keqpërdorur për të forcuar ndjenjën e viktimizimit dhe për të paraqitur BE-në si palë të njëanshme në dëm të interesave serbe.
Raporti thekson gjithashtu se zgjedhjet e dhjetorit 2023 në Serbi janë shoqëruar me akuza për mashtrim zgjedhor. Për më tepër, urimi i BE-së për formimin e qeverisë së re serbe në maj 2024 ka ngjallur reagime të ashpra në rrjetet sociale, ku qytetarët kritikuan BE-në për “legjitimimin e një regjimi autoritar dhe pro-rus”.
Ekspertët e EUISS vlerësojnë se hapësira informative në Serbi është thellësisht e polarizuar dhe e ndjeshme ndaj manipulimit, veçanërisht përmes përhapjes së narrativave konspirative dhe anti-perëndimore të frymëzuara nga Rusia.
Raporti bën thirrje që BE të rishqyrtojë me kujdes komunikimin e saj ndaj Serbisë dhe të mbështesë më fuqishëm lëvizjet demokratike në rajon, për të mbrojtur stabilitetin dhe vlerat evropiane në Ballkanin Perëndimor.