Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar fuqishëm ndaj pwr vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për shtrenjtim të energjisë elektrike prej 16.1 për qind.
Në reagimin e KMDLNJ-së thuhet se përkundër dy protestave në Prishtinë, kundërshtimit në forma tjera, dërgimit të komenteve, “ndërmarrja e strukturuar kriminale ZRrE dje miratoi vendimin për rritje të çmimit të energjisë elektrike prej 16.1 për qind që në masë të madhe do ta vështirësojë jetën e pjesës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës”.
Sipas KMDLNJ-së, tarifat e reja prej 16.1 për qind do të krijojnë vështirësi bizneseve të shumta e në veçanti shtresave të cenueshme siç janë: pensionistët, përfituesit e skemave sociale, veteranët e luftës etj.
“Qeveria Kurti 2 nuk ndërmori asnjë veprim për të mbrojtur qytetarin e varfëruar të Kosovës madje me disa improvizime të ministres përkatëse pranoi rritjen duke përshkallëzuar këtë rritje. Ndërmarrja kriminale ZRrE asnjëherë nuk ka përfaqësuar interesin e qytetarit por se ka mbrojtur në mënyrë skajshmërisht të pamoralshme interesin e operatorëve të energjisë elektrike dhe strukturave të caktuara qeveritare, që nga përfundimi i luftës deri më sot. Për 15 vite ka vjedhur paratë e qytetarëve të Kosovës në baza etnike duke liruar serbët nga çdo detyrim për pagesë përmes fryrjes së faturave”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut (KMDLNJ), as sot e kësaj dite qytetarët e dëmtuar nuk janë kompensuar “ndonëse kemi një vendim të gjykatës”.
“KMDLNj fton qytetarët të organizohen dhe t’ i intensifikojnë protestat në mbrojtje të drejtave të tyre. ZRrE nuk është shteti dhe nuk mund të jetë mbi ligjin. Intensifikimi i protestave është në funksion të mbrojtjes së një interesi të përgjithshëm prandaj duhet të protestojnë të gjithë pavarësisht përkatësisë etnike , bindjeve politike , moshës , gjinisë apo statusit në shoqëri”, thuhet në reagim.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut thotë po ashtu se rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk do të mbetet rast i izoluar përkundrazi do të prodhojë rritje të çmimit të të gjithë artikujve dhe shërbimeve. Po ashtu sipas KMDLNJ-së, “kjo rritje kriminale do të kontribuojë në shpopullim të Kosovës, edhe ashtu të rinjtë po ikin në mënyrë masive.
Sipas KMDLNJ-së protestat duhen të organizohen në tërë Kosovën dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut fuqishëm përkrahë protesta të karakterit social dhe ekonomik.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të mërkurën ka aprovuar tarifat e reja për shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 për qind. Me pesë vota për dhe asnjë kundër Bordi i ZRRE-së miratoi tarifat e reja për konsumatorëtm raporton KosovaPress.
Në këtë mbledhje, ZRRE bëri të ditur se konsumatorët do të furnizohen energji elektrike me tarifat e reja që nga data 1 maj i këtij viti deri më 31 mars të vitit 2026.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë të premten e 11 prillit bëri të ditur se rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është rreth 16%, raporton KosovaPress. Qytetarët e Kosovës nga muaji maj do të paguajnë 16 për qind më shtrenjtë për energjinë elektrike. Kështu kishte thënë kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.
Shtrenjtimi i energjisë elektrike, ka shkaktuar reagime të shumta nga bizneset, subjektet politike dhe qytetarët, madje kishte edhe protesta.
Të premten, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka bërë thirrje sërish ZRrE-së që të mos shtrenjtojë energjinë elektrike. Në ditën kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë mbajti mbledhjen për të vendosur për këtë çështje, drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike në këtë kohë rrezikon vendet e punës. Veç tjerash, u ngrit shqetësimi edhe për procesin e shpejtë të liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë, për çka u kërkua që parlamenti të merret me këtë çështje.
Derisa Presidenca e Kosovës e kundërshtoi propozimin e ZRRE-së, Ministria e Ekonomisë tha se rritja nuk duhet t’i prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh.