Memoriali “Eksodi Kosovar”, në Kukës dhe monumenti “Muri i Kujtesës” në Bllacë, janë monumente përkujtimore që simbolizojnë sakrificën dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës gjatë eksodit të vitit 1999.
Ato janë ndërtuar si shenjë falënderimi ndaj popullit shqiptar për mikpritjen e refugjatëve nga Kosova. Memoriali i Eksodit Kosovar është i mbushur me fotografi, që paraqesin ngjarjet e asaj kohe, ndërsa monumenti artistik simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, shkruan ATSH.
Vitet 1998-1999, shënojnë një nga periudhat më të vështira në historinë e shqiptarëve të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe, rreth 1 milion shqiptarë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës dhe spastrimit etnik të kryer nga forcat serbe, raporton KP.
Ky eksod përbënte deri në atë kohë, një nga zhvendosjet më të mëdha të popullsisë në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në Shqipëri, qytetet si Kukësi, Hasi dhe Tropoja, por gjithashtu dhe Tirana, Durrësi, Elbasani etj., u bënë qendra të rëndësishme për mikpritjen e refugjatëve. Familjet shqiptare hapën dyert e tyre për të strehuar mijëra shqiptarë të Kosovës duke treguar solidaritet dhe bujari të jashtëzakonshme.