Ëndrrat janë një pjesë natyrale e gjumit dhe ndikojnë në mënyrën se si njeriu ndihet pas zgjimit. Ato shfaqen më së shumti gjatë fazës REM të gjumit, një periudhë ku truri është shumë aktiv dhe përjetimi i ëndrrave bëhet më i theksuar. Nëse dikush zgjohet gjatë kësaj faze, ndihet sikur ka fjetur më mirë, ndryshe nga zgjimi gjatë një faze më të lehtë, ku trupi dhe mendja nuk janë aq të relaksuara.
Përmbajtja e ëndrrave ndikohet drejtpërdrejt nga përjetimet dhe emocionet që njeriu kalon gjatë ditës. Nëse një person përjeton stres të lartë në punë, ka një debat me dikë të afërt apo përballet me situata të papritura, këto emocione nguliten në nënvetëdije dhe dalin në sipërfaqe gjatë gjumit përmes ëndrrave. Jo rrallëherë, ngjarjet stresuese shndërrohen në skenarë të turbullt ose shqetësues, duke krijuar ëndrra të parehatshme apo makthe. Ngarkesa emocionale, si pikëllimi, ndjenja e fajit apo frika, gjithashtu e ushqen këtë proces.
Edhe pozicioni i trupit gjatë gjumit luan rol në përjetimin e ëndrrave. Studime të ndryshme kanë treguar se njerëzit që flenë me bark janë më të prirur të kenë ëndrra me ndjesi bllokimi, paralize trupore ose mungesë frymëmarrjeje. Kjo lidhet me faktin se ky pozicion mund të shkaktojë presion fizik në kraharor dhe vështirësi në frymëmarrje, gjë që truri e përkthen si ndjesi të pakëndshme brenda ëndrrave.
Gjithashtu, përdorimi i disa ilaçeve ndikon në mënyrën se si krijohen ëndrrat. Barna që përdoren për trajtimin e depresionit, ankthit apo edhe disa medikamente për tensionin e gjakut, ndikojnë në ritmin dhe thellësinë e gjumit, duke e bërë më të mundshëm shfaqjen e ëndrrave të gjalla apo të çuditshme. Kjo ndodh sepse këto barna ndërhyjnë në mënyrën si truri përpunon kimikatet përgjegjëse për humorin dhe emocionet, të cilat janë thelbësore në formimin e përmbajtjes së ëndrrave.
Për të pasur një gjumë të qetë dhe më pak ëndrra shqetësuese, është e rëndësishme të krijohet një ambient i përshtatshëm për gjumë. Një dhomë e freskët, larg zhurmës dhe ndriçimit të tepërt, ndihmon në një përvojë më të mirë të pushimit. Rutinat e përnatshme si leximi, dëgjimi i muzikës së qetë ose përdorimi i aromave relaksuese si livandoja, e përgatisin trupin dhe mendjen për gjumë cilësor.
Një tjetër faktor që ndikon në gjumin e natës është aktiviteti fizik. Një person që ushtron rregullisht ka më shumë gjasa të flejë më thellë dhe të ketë më pak shqetësime gjatë natës. Ushtrimet e lehta, të bëra në orët e duhura, ndihmojnë trupin të çlirohet nga tensioni. Por nëse aktiviteti bëhet vonë në mbrëmje, e ngadalëson procesin e fjetjes dhe ndikon negativisht në pushimin e natës.
Përveç këtyre faktorëve, edhe ushqimi që konsumohet gjatë ditës luan rol në mënyrën si fle njeriu dhe çfarë ëndrrash përjeton. Nëse hahet ushqim i rëndë apo me shumë yndyrë afër orarit të gjumit, tretja vështirësohet dhe mund të shkaktojë ëndrra të çuditshme ose makthe. Prandaj, darka duhet të jetë e lehtë dhe të konsumohet të paktën dy orë para se të shtrihemi. Po ashtu, shmangia e kafeinës dhe pijeve energjike në orët e vona ndihmon në një gjumë më të mirë dhe të qetë.