Përgatiti: Arian Hajdaraj
Projekti edhe mund të bëhet, por jo pa vonesa.
Tenderi 18 milionësh, për bulevardin e Gjilanit, ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pas dy ankesave të pranuara më 4 prill.
Operatori ekonomik, Pro&Co Grup shpk, pretendon se Komuna vendosi një kriter diskriminues.
“Përderisa shumica dërrmuese e punëve ka të bëjë me ndërtimin e sheshit, parkingut dhe objektit të administratës, është e pakuptueshme se si është vendosur si kriter edhe vlera prej 6 milionë eurosh në ndërtimin e nënkalimeve”, janë deklaruar operatorët ekonomik ankues, Pro&Co Grup.
Pikërisht ky kriter, cilësohet si diskriminues edhe nga operatori tjetër ekonomik Semaks SHPK, i cili po ashtu ka dorëzuar ankesë në OSHP.
Kjo kompani, madje pretendon se në këtë paramasë, diskriminuese është edhe kërkesa që kompania ta posedojë një gjysmë-rimorkio për zhbllokim të kanalizimit.
“Kjo pajisje është e panevojshme dhe diksriminuese sepse s’ka pozicion në paramasë për këtë pajisje sepse këtu kemi të bëjmë me ndërtim dhe jo mirëmbajtje të projektit..”, janë deklaruar nga kompania Semaks SHPK.
Ndarja e mjeteve për këtë projekt, nuk ishte mbështetur nga Kuvendi Komunal i Gjilanit për buxhetin e vitit 2025.
Por, pak javë më vonë, kryetari Alban Hyseni, njoftoi se pushteti i siguroi paratë e nevojshme, pa dhënë më shumë detaje.