Irani ka thënë të enjten se ka testuar me sukses raketën e re balistike, e cila ka rreze veprimi prej 2.000 kilometrash.
Sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve, “IRNA”, një raketë balistike me rreze të mesme e quajtur “Khaibar”, u prezantua në kryeqytetin Teheran me një program ku pjesëmarrës ishin zyrtarë të lartë ushtarakë.
Televizioni shtetëror shfaqi, gjithashtu, pamjet e lëshimit të raketës dhe më pas duke goditur një objektiv.
Ministri iranian i Mbrojtjes, Mohammad Reza Ashtiani, i cili ishte i pranishëm në ceremoni, deklaroi se raketa balistike ka një fuqi shumë të lartë shkatërruese.
Mes shqetësimeve për përparimin e shpejtë të Teheranit në avancimet bërthamore, përpjekjet e gjashtë fuqive botërore për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015, kanë ngecur nga shtatori i kaluar.
Marrëveshja, e cila u braktis nga Uashingtoni në vitin 2018, vendosi kufizime në aktivitetet bërthamore të Iranit, duke zgjatur në mënyrë efektive kohën e nevojshme për Teheranin që të mund të zhvillojë materiale të mjaftueshme të zbërthyeshme për një armë bërthamore.
Megjithatë, Irani vazhdimisht ka hedhur poshtë çdo pretendim për armë bërthamore. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: