Pas debatit disaorësh për gjendjen në Ministrinë e Industrisë e Tregtisë, propozim-rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës, për shkarkimin e ministres së këtij dikasteri, nuk arriti të hidhej fare në votim, shkaku i numrit të ulët të deputetëve të pranishëm në sallë.
“Shihemi ndonjë ditë tjetër kur t’iu lajmëroi”, u tha krye parlamentari, Glauk Konjufca.
Pavarësisht kësaj, kërkesa për shkarkim duhet të merret si e mirëqenë, sipas deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Në njërën anë dënohet për mosdeklarim të pasurisë dhe në anën tjetër bën dëme kaq të mëdha, në kuadër të kësaj ministrie është plotësisht legjitime”, tha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
Dorëheqjen e ministres e kërkuan edhe deputetë të tjerë.
“Ministre, shko në shtëpi dhe liroje edhe këtë parlament edhe veten”, tha deputeti i PDK-së, Elmi Reçica.
“Ne e kishim në greminë rezervën shtetërore… Unë kam ndalë klientelën tuaj në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë”, tha ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari.
Përplasjes mes partisë më të madhe opozitare e asaj në pushtet vazhduan edhe më tej.
“PDK-ja asnjëherë nuk e ka menaxhuar atë ministri. Njëherë po, por e pati dërguar Mimozën dhe ktheu për te PAN, shihe veten ku je kanë”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
“E vërteta është që ju nuk më keni dërguar. Unë kam qenë një herë ministre në jetën time, ministre e Tregtisë dhe Industrisë e dërguar nga AKR-ja”, tha deputetja e LV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Por kritika pati edhe nga partitë e tjera.
“E dini edhe ju që vetë fjalës së vet nuk i besoi, se nuk ka çka të mbrojë, se vetë ka qenë ministre e kësaj Ministrie dhe mendoj se kot edhe në fjalimin e saj bëri të qeshura”, tha deputeti i PDK-së, Pal Lekaj.
“Dështoi në çdo fushë në menaxhim, në strategji e shumë ushtrues detyre në këtë ministri. Nuk ka vizion për mbrojtjen e ndërmarrësisë dhe tregtisë”, tha deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku.
Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që kjo rezolutë të tërhiqet nga PDK-ja, pasi nuk ka bazë kushtetuese. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: