Në dy ditët e ardhshme Serbinë e presin dy protesta të mëdha.
Të premten, Vuçiq do t’i mbledhë përkrahësit e tij, si përgjigje ndaj protestës së të shtunës, e cila është organizuar nga opozita, kundër tij.
“Mund të jetë njëra prej protestave më të mëdha. Opozita synon t’i mbledhë 1 milionë protestues”, tha Belgzim Kamberi nga instituti “Musine Kokalari”.
Vuçiq e ka përmendur edhe çuarjen e vendit në zgjedhje. Në rast se ato mbahen, kjo mund të ndikojë edhe në procesin e dialogut me Kosovën.
“Mbajtja e zgjedhjeve në Serbi, mund të ndikojë në vonesa për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit”, tha Kamberi.
Zgjedhjet mund t’i konvenojnë Vuçiq it, për disa arsye.
“Vuçiqit i konvenon të mbahen zgjedhje. I ikë presionit për Marrëveshjen e Ohrit, fiton mandat tjetër”, tha njohësi i çështjeve politike, Bekim Kabashi.
Përmes protestës së të shtunës, e cila për moto ka “Serbia kundër dhunës”, kërkohet shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, si dhe mbyllja e dy televizioneve të cilat përkrahin pushtetin e Vuçiqit. /atvlive.tv