Të paktën 18 persona kanë humbur jetën dhe 19 janë plagosur nga zjarret në juglindje të Koresë së Jugut, sipas Ministrisë së Brendshme dhe Sigurisë.
Zjarret kanë detyruar evakuimin e mbi 23,000 personave dhe kanë shkatërruar disa monumente kulturore, përfshirë tempullin budist 1,300-vjeçar Gounsa.
Një helikopter zjarrfikës u rrëzua në malet e Uiseong të mërkurën, ndërsa mijëra zjarrfikës dhe rreth 5,000 ushtarë po luftojnë flakët, raporton BBC.
Ky është zjarri më vdekjeprurës në historinë e vendit, duke djegur rreth 17,000 hektarë pyje. Erërat e forta po vështirësojnë përpjekjet për shuarjen e tij, ndërsa reshjet e pritshme janë të pakta, përcjell KosovaPress.
Qeveria ka premtuar masa më të forta për parandalimin e zjarreve dhe ndëshkime për djegiet e paligjshme.