Përgatiti: Nora Luta
Me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, 67 nga 111 faqe të librit të Naim Malokut, janë pranuar si provë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Maloku, i cili për librin tha se mund të ketë pasur pak ekzagjerime, pas ballafaqimit me pyetje nga ZPS-ja, në ditën e dytë të dëshmisë ka filluar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes.
Ai, pasi tha se UÇK-ja buronte nga populli, theksoi se kishte marrë vetëm një urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm.
“Urdhri i vetëm që e kam marrë. Unë i kam thënë edhe ZPS-së: nuk mund t’i kuptoni këto, është e vështirë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ngritur nga poshtë-lart. Nuk ka pasur urdhra, ka pasur votime me gisht, propozime, pajtime që Naim Maloku të jetë zëvëndëskomandant – pajtime që Ramush Haradini, 40 fshatra, të jetë komandant zone. Pra nuk ka pasur urdhra, ndërtim të strukturës nga lart poshtë”, ka deklaruar Maloku.
Nga avokati i Thaçit, u pyet rreth raporteve me ish-presidentin, me të cilin tha të ketë biseduar rreth një interviste për media, ku kishte kërkuar që UÇK-ja të institucionalizohej.
Gjatë luftës, tha se Thaçin, për të cilin i kishte kërkuar të mos deklarohej për media, e takoi tri herë.
Ndër të tjera, Maloku u ballafaqua edhe me një intervistë, gjatë së cilës e kishte promovuar, bashkimin e UÇK-së me strukturat e ministrisë e Mbrojtjes që udhëhiqeshin nga qeveria në ekzil.
Ai e ka konfirmuar se ndër të tjera kishte deklaruar se ushtria është e popullit e shteti i takon presidentit Ibrahim Rugova.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve, në videon më poshtë: