Kushtëzimi për KiE, Qeveria s’ndryshon qëndrim për manastirin e Deçanit

Pavarësisht apelit të radhës nga vendet e QUINT-it, për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, Qeveria nuk e ka ndërruar qëndrimin.

Ndonëse jo para kamerës, në një komunikim me zyrtarë nga ekzekutivi u nënkuptua se Qeveria nuk ka lëvizur në këtë drejtim, as pasi partnerët ndërkombëtarë deklaruan se moszbatimi mund të pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, megjithatë kërkohet bashkëpunim mes nivelit lokal e atij qendror.

Një kushtëzim i tillë konsiderohet se është pasojë e lëshimeve të palës kosovare në procesin e dialogut ndër vite.

“Kushtëzimi buron nga gabimet e njëpasnjëshme të Kosovës për të bërë koncesione vetëshkatërruese në dialog, së pari, nga bisedimet e Vjenës ku pala kosovare u pajtua me Aneksin 5 të Planit të Ahtisaarit, ku specifikohet se Kosova njeh Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, duke përfshirë manastiret, kishat dhe vendet e tjera, që përdoren për qëllime fetare ”si pjesë integrale të Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd”, dhe së dyti tani nga qeveria aktuale që pranoi futjen e çështjes së Kishës Ortodokse në Marrëveshje të Brukselit, si pikë e veçantë për implementim urgjent nga ana jonë. Këto ishin dy gabime fatale të cilat e kanë përcjellë e do ta përcjellin Kosovën me pasoja të rënda për funksionimin e shtetit, nëse jetësohen ashtu siç pretendon Serbia”, tha ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj.

Sipas ish-ministres së Jashtme, ndonëse Kosova i plotëson të gjitha kriteret formale për anëtarësim të plotë në KiE, vendimi për anëtarësim u takon shteteve anëtare veç e veç.

“Serbia është jashtëzakonisht aktive në veprimin e saj diplomatik, për të penguar anëtarësimin e Kosovës në KiE, ndërsa Kosova nuk shihet se ka ndonjë strategji të qartë për të forcuar narrativen e saj diplomatike me shtetet anëtare, atëherë del se shumica e faktorëve vendimtarë për këtë anëtarësim janë në disfavorin tonë, dhe anëtarësimi eventual fatkeqësisht do të ndodhë vetëm përmes koncesioneve të dhimbshme, përmes Kishës dhe Asociacionit”, tha Haradinaj.

Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese konfirmoi pronësinë e mbi 24 hektarëve tokë të Manastirit të Deçanit.

Ndryshe, gjatë ditës, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, së bashku me pjesëtarë të UNESCO-s, e kanë vizituar Manastirin e Deçanit. Në Deçan ishte edhe ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier. /atvlive.tv

Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA