Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 27 vjetorit së Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të gjitha shkollat e vendit ora e parë mësimore i është kushtuar kësaj ngjarje historike.
Në kuadër të kësaj, kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, dhe udhëheqësi i Sektorit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, Sylë Vitia, kanë mbajtur ligjëratë me nxënës në shkollën fillore “Shkëndija”.
Kryetari Rama në këtë ligjëratë foli për rendësinë e Epopesë së UÇK-së, sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij si dhe për përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
“Duke ju falënderuar UÇK-së, komandantit legjendar Adem Jashari sakrificës së madhe të tij, të gjithë familjes Jashari dhe të gjithë burrave e grave tjerë që kanë luftuar ne sot gëzojmë lirinë. Lufta jonë është e drejtë ku na janë bashkuar edhe forcat e tjera të NATO-së. Ata kanë parë që UCK-ja këtë luftë e kanë bërë të drejtë, luftë për lirin, pavarësinë, luftë për të folur gjuhen tonë. Edhe është çliruar vendi ynë dhe kemi krijuar shtetin tonë, pastaj është shpallur pavarësia e Kosovës”, ka thënë ai.
Vitia në këtë ligjëratë foli për motivet që kanë shtyrë atë t’i bashkohet UÇK-së, i cili shtoi se për të periudha e luftës është periudha me e shenjtë e jetës së tij.
“Motivi ka qenë liria, arsyeja pse kemi ardhur deri të motivi për të marr pjesë në luftë kanë qenë të shumta, padrejtësitë që na janë bërë, shtypja, represioni, na janë ndalur shkollat. Krejt këto padrejtësi, ato vrasje, ato masakra që kanë ndodh me kanë shtyrë që të bëhem pjesë e UÇK-së. Ajo është periudha më e shenjte e jetës sime, edhe po ti kisha 20 jetë mendoj që nuk do të përjetoja një periudhë me të shenjtë”, ka thënë ai.