PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ
Kalimi i vijës së plotë, është një ndër rregullat e trafikut që shkelet më së shpeshti, në rrugën Vushtrri – Skenderaj.
Vozitësit, në këtë rrugë rajonale, detyrohen të devijojnë për shkak të gropave të cilat janë jo të rralla.
Për ta arnuar asfaltin, Ministria e Infrastrukturës, në fillim të muajit janar, dha tender në vlerë prej 1.7 milionë euro, por procedura u pezullua shpejtë.
Në korrik të vitit 2024, Ministria e Infrastrukturës pati hapur tender për rehabilitimin e rrugës rajonale Vushtrri Skenderaj. Në fillim të vitit 2025, tenderi iu dha një kompanie, por procedura shkoi në OSHP, pas një ankese.
Në ankesën e dorëzuar në atë që njihet si gjykata e tenderëve, operatori ekonomik ankues “Pro Co Kompani”, ka parashtruar tri pretendimet ankimore, bazuar në të cilat kërkon që procedura për ritenderim të hapet sërish.
Në të parën, operatori, pretendon se njëra ndër kompanitë në konzorcium, nuk kishte licencë nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale në kohën kur u nënshkrua kontrata.
“Fakti se Lika Company ka pasur licencë valide në momentin e dorëzimit të tenderëve, nuk është fare e pranueshme, pasi që licenca ka skaduar ende pa u nënshkruar kontrata…”
Ky në fakt, është pretendimi i vetëm i cilësuar si i bazuar, e i cili ka ndikuar në pezullim të procedurës.
OSHP, ankesën e ka pranuar në fillim të shkurtit, derisa ende nuk dihet se kur paneli do të marrë vendim lidhur me këtë rast.