Profesori dhe shkrimtari Jeton Kelmendi, është kandiduar për postin e Zëvendëspresidentit të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve (EASA).
Kjo akademi prestigjioze, e cila ka selinë në Salzburg të Austrisë, përfshin anëtarë nga e gjithë bota, duke përfshirë 42 laureatë të Çmimit Nobel. EASA është një nga institucionet më të rëndësishme akademike dhe shkencore në Evropë, duke bashkuar personalitete të shquara nga fusha e shkencave dhe arteve.
Profesor Jeton Kelmendi është i cili është profesor i rregullt në Kolegjin AAB.
Krijimtaria e tij është përkthyer në mbi 42 gjuhë, duke e bërë atë një nga autorët shqiptarë më të përkthyer. Përveç kontributit të tij në letërsi, Kelmendi ka qenë një promovues aktiv i kulturës dhe shkencës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Si kandidat për Zëvendëspresident të EASA-s, Kelmendi synon të sjellë një frymë të re bashkëpunimi dhe inovacioni akademik. Në programin e tij katërvjeçar, ai është angazhuar për të forcuar partneritetet ndërkombëtare, për të promovuar kërkimet shkencore dhe artistike, si dhe për të zgjeruar ndikimin e Akademisë në fushën e edukimit dhe shkencës.
Zgjedhjet për lidershipin e ri të Akademisë do të mbahen me 6 Mars, dhe kandidatura e Kelmendit konsiderohet një hap i rëndësishëm për prezantimin e intelektualëve shqiptarë në nivelet më të larta akademike evropiane.