Drejtori ekzekutiv i INDEP, Burim Ejupi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se qeveria e Kosovës po ecën shumë ngadalë në zbatimin e strategjisë energjetike, pavarësisht krizës që ka përfshirë rajonin dhe Evropën.
Sipas Ejupit, strategjia energjetike 2022-2032 parashikon ndërtimin e 1400 megavatëve kapacitet nga burimet e ripërtëritshme deri në vitin 2031, por deri tani progresi është shumë i ngadaltë.
“Strategjia 2022-2032 parashikon deri në vitin 2031 të kemi kapacitete të energjisë së ripërtëritshme ose alternative diku prej 1400 megavatëve. Sot jemi në vitin 2025 dhe ende jemi në pritje të vetëm 100-150 megavatëve nga panelet solare”, tha Ejupi.
Ai tha se qeveria duhet të veprojë më shpejt, pasi mungesa e kapaciteteve të reja mund ta përkeqësojë situatën energjetike në të ardhmen.
“Nëse e zbatojmë strategjinë ashtu siç është miratuar, me këta hapa të breshkës me të cilët po ecën qeveria, do të jetë shumë vonë. Kur ka krizë energjetike në gjithë rajonin ose Evropën, qoftë për shkak të luftës në Ukrainë apo thatësisë së verës 2021, atëherë duhet të veprojmë më shpejt”, u shpreh Ejupi.
Deklaratën e plotë të Burim Ejupit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: