Kosova u përfaqësua për herë të parë me flamurin e saj shtetëror në një garë zyrtare ndërkombëtare në Kampionatin Botëror të ekipeve të Pingpongut në Kinë nga 24 shkurti deri më 2 mars 2008.
Në këtë kampionat, Kosova u përfaqësua nga Besart Domaniku, Betim Sejdiu e Jeton Beqiri në garën e meshkujve dhe Besire Domaniku, Arjeta Terstena e Blera Abazi në atë të femrave.
Kryetari i Federatës së Pingpongut të Kosovës, Jeton Oruçi në një intervistë për KosovaPress thekson se 17 vite më parë u bë hapi i madh dhe u shënua historia e sportit kosovar.
“17 vite më parë ka qenë ditë historike për sportin e Kosovës mirëpo në veçanti ka qenë ditë historike për pingpongun e Kosovës. Më 17 shkurt është shpallur pavarësia e Kosovës ndërsa më 24 shkurt Federata e Pingpongut të Kosovës ë pranuar se federata e parë e Kosovës e pranuar në Federatën Ndërkombëtare të Pingpongut me të drejta të plota ishte marrë për detyrë të marrë pjesë në Kampionatin Botëror ekipor në Kinë…Ka qenë moment historik për faktin se ky flamur ishte ngritur në mesin e 155 flamujve të ndryshëm, i shtetit më të ri në botë në atë kohë dhe Kosova merrte pjesë për herë të parë në një shtet mosnjohës”, thitë fillimisht Oruçi.
Më tutje Oriçi tregon se përkundër se Kina nuk e njeh Kosovën si shtet, sportistët nuk ishin penguar pasi kishin marrë garanci nga Federata Ndërkombëtare e Pingpongut se një gjë e tillë nuk do të ndodhte.
“Nuk ka pasur telashe sa i përket pjesëmarrjes sepse garancat ishin marrë në atë kohë që sportistët tanë nuk do të pengohen. Sigurisht që shteteve mosnjohëse nuk iu ka ardhur mirë, ka qenë shumë sfiduese dhe federata jonë normal që në atë kohë nuk e ka pasur aspak të lehtë prezantimin dhe pjesëmarrjen në atë garë, në atë Kampionat Botëror por ia ka dal me sukses, ka arritur të shënojë disa fitore por jo të ketë ndonjë rezultat të madh…Mesazhi kryesor ka qenë që Kosova ka kapacitete, ka sportistë dhe është e denjë ta përfaqësojë veten në gara ndërkombëtare”, thekson tutje Oruçi.
Oruçi thotë se që nga kohë, Kosova po vazhdon të përfaqësohet denjësisht në arenën ndërkombëtare nga sporti i pingpongut.
“Kosova që nga atëherë përfaqësohet denjësisht në gara ndërkombëtare, botërore, evropiane dhe regjionale, vazhdimisht merr pjesë. Kemi sportistë të cilët janë të mirë dhe kanë arritur t’i zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale në pingpong. Na duhet më tepër të punojmë me kuadro dhe grupmosha të reja, me trajnerët ekzistues dhe duhet të gjejmë potencialin edhe te trajnerët që do të vijnë me kohën. Synimi ynë si Bord Ekzekutiv i ri është që pa asnjë vonesë ta angazhojmë një trajner ndërkombëtar i cili do të punojë me trajnerët tanë ekzistues dhe me grupmoshat e reja dhe ta kemi një strategji të qartë për katër vitet e ardhshme se si do të arrijmë deri te medaljet e caktuara”, thotë tutje Oruçi.
Ndryshe, në muajin maj të këtij viti në Prishtinë do të organizohen dy kampionate ndërkombëtare të pingpongut siç janë WTT Youth Contender dhe WTT Feeder Serie duke dëshmuar kështu angazhimin dhe besimin që Federata e Pinpongut të Kosovës ka nga ana e Federatës Ndërkombëtare të Pingpongut.