Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti me bashkëpunëtor, familjar e miq kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore e Arben Xheladini dhe Mon Balaj, raporton EO.
Arben Xheladini dhe Mon Balaj u vranë më 10 shkurt 2007 nga policia ndërkombëtare e UNMIK-ut.
Në shënimin e 18 vjetorit të protestës se 10 shkurtit 2007, Vetëvendosje sot ka organizuar disa aktivitete.
Janë bërë homazhe te varri i Arben Xheladinit, si dhe homazhe edhe te varri i Mon Balaj.
Dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, derisa protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit, u vranë më 10 shkurt nga policia rumune e UNMIK-ut.
Në këtë protestë mbetën të plagosur edhe mbi 80 aktivistë të tjerë pas përleshjeve të ashpra me policinë rumune. Policia rumune, efektivë të UNMIK-ut, gjuajtën me plumba gome drejt turmës.
Policia kishte ndërhyrë me gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra protestues, anëtarë dhe simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë tentuar të shpërthejnë kordonin e policisë së Kosovës dhe policisë së UNMIK-ut, që ishte vendosur në afërsi të ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, raporton “Zyrtare”.