Një 20-vjeçar nga Gjakova ka pësuar lëndime të rënda për shkak të shpërthimit të një mjeti shpërthyes që ndodhi në shtëpinë e tij.
I njëjti aktualisht është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla ka thënë për Telegrafin se gjendja e pacientit në momentin e pranimit ishte e rëndë dhe i njëjti është transferuar në Mjekimin Intensiv Qendror.
“Pas trajtimit dhe intervenimit kirurgjik nga ekipi kujdestar në Qendrën Emergjente, pacienti është dërguar në Mjekimin Intensiv Qendror për trajtim të mëtutjeshëm… Gjendja e rëndë”, ka thënë Syla.
Ndërkaq, drejtori i Mjekimit Intensiv Qendror, Gazmend Spahija tha për Telegrafin se momentalisht gjenda e pacientit paraqitet stabile.
“Për momentin është relativisht stabil, presim si do të shkojë gjendja në ditët e ardhshme”, tha Spahija.
Policia e Kosovës bëri të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 01:20 pas mesnate.
“Sot, rreth orës 01:20, një mashkull rreth 20 vjeç është dërguar për trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve të rënda të shkaktuara nga një mjet shpërthyes. Menjëherë në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore, dhe sipas hetimeve fillestare, dyshohet se viktima, aksidentalisht ka shkaktuar shpërthimin e mjetit në shtëpinë e tij, në fshatin Dobrigje-Gjakovë”, njoftoi polica.
Drejtori i policisë në Gjakovë, Lumni Graishta tha për Telegrafin se ende nuk kanë arritur të ekzaminojnë vendin e ngjarjes për shkak të dyshimit që mund të ketë mjete tjera shpërthyese.
“Nuk kemi arritur ende me ekzaminu vendin e ngjarjes për shkak të dyshimit që mund të ketë mjete tjera të pashpërthyera. Për momentin EOD janë duke kontrolluar zonën”, ka thënë Graishta. /Telegrafi/