Këto ditë kanë qenë të kobshme për tri familjet Morina, Rama dhe Mehmetaj në fshatin Jabllanicë të Gjakovës pasi humbën tre fëmijë të mitur, që vdiqën tragjikisht si pasojë e shembjes së një objekti të vjetër, raporton Gazeta Sinjali.
Vdekja e Vetonit, Idealit dhe Ramës, ka tronditur Gjakovën dhe krejt Kosovën, ndërsa sot pritet t’u jepet lamtumira e fundit.
Familjarët kanë bërë të ditur se trupat e tre djemve do të varrosen sot në varrezat e fshatit Jabllanicë, në orën 14:00.
Bazuar në informacionet zyrtare, objekti është shembur në rrethana të panjohura, ndërsa tre djemtë – dy 15 vjeç dhe tjetri 13 vjeç – kanë qenë brenda kur janë zënë nga pllaka.
Objekti i shembur ka qenë ndërtesë e vjetër, e pabanuar, e mbetur pas luftës së vitit 1999 në Kosovë.
Familjari i viktimave, Përparim Ademaj, ka thënë të dielën për mediat lokale se të rinjtë kanë dalë disa orë para incidentit për të luajtur së bashku, ndërsa familjarët e kanë zbuluar se ata kanë qenë në objektin e rrënuar nga dridhjet e telefonave, sa kanë qenë duke i kërkuar në rrethinë.
Sipas tij, kamerat e shtëpive në afërsi tregojnë se objekti i pabanuar është shembur rreth orës 16:35 të shtunën, ndërsa trupat e viktimave janë gjetur pas gati gjashtë orëve.
Zyra e Prokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes ka dalë Kryeprokurori, prokurori kujdestar dhe të gjitha njësitet tjera përkatëse të Policisë së Kosovës, dhe që janë duke u ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e rastit.