​Skandali i Dodikut, partitë shqiptare kritikojnë ashpër Stoilkoviq

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Arben Fetai ka kritikuar ministrin për Marrëdhënie mes Bashkësive Ivan Stoilkoviq për lejimin e deklarimeve antiBE dhe antiNATO, njëherësh pro-ruse dhe pro-serbe të kreut të Republikës së Serbisë Milorad Dodik.

Deklarimet nxitëse të Dodik ishin bërë para dy ditësh në një ceremoni të organizuar nga ministri Stoilkoviq në Shkup.

Fetai duke mos e përmendur Stoilkoviq, shkruan se t’i japësh tribunë Dodik në Shkup është vendim i gabuar dhe i papranueshëm.

“Dodik është një politikan që nxit konflikt, mohon gjenocidin në Srebrenicë, minon sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe mbështet politika që destabilizojnë rajonin. Për më tepër, ai është i sanksionuar nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar për korrupsion dhe veprime që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Një person i tillë nuk mund dhe nuk duhet të marrë hapësirë në vendin tonë. Shkupi është dhe duhet të mbetet qytet i dialogut, bashkëpunimit dhe paqes, jo platformë për promovimin e ideve antiBE, antiNATO dhe antidemokratike që kërcënojnë të ardhmen e rajonit”, tha Fetai.

Kreu i Lëvizjes Besa Bilall Kasami thotë se nuk është hera e parë që persona të caktuar uzurpojnë institucione për të shprehur qëndrimet e tyre personale. Ai thotë se bartësit e funksioneve publike duhet të kenë ndjeshmërinë e institucionit që përfaqësojnë.

“Uroj që këto të jenë komente të fundit të ministrit në fjalë sepse ai përveç që duhet të ketë përgjegjësinë e pozitës që e mban, duhet të ketë edhe ndjeshmërinë e konceptit multietnik që përfaqëson Maqedonia. Ai nuk është vetëm ministër i pakicës serbe, por është ministër i të gjitha komuniteteve, duke nisur nga maqedonasit, shqiptarët, turqit, etj. Uroj që të sillet kështu”, tha Kasami.

Veprimin e Stoilkoviq, dhënien e dekoratës “Vojvoda Vuk” për zëvendsëskryeministrin dhe fjalimin e Dodik në Shkup, nga BDI-ja e cilësojnë provokim dhe të papranueshëm.

“Kjo tregon hapur se për kë punon ky ministër dhe kush i drejton sot institucionet e shtetit, andaj në emër të rinisë së BDI-së por edhe si të rinj shqiptarë që jemi kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të këtij ministri dhe distancimin e qartë të qeverisë nga agjendat antishqiptare dhe antiperëndimore. Ky shtet nuk mund të jetë terren për glorifikimin e gjenocidit dhe rikthimin e projekteve të errëta që duan të përçajnë popujt e rajonit. Kërkojmë kthimin e harmonisë ndëretnike në vend duke mos lënë hapësirë për provokime të tilla nga askush dhe duke garantuar barabarësi dhe respekt të ndërsjellë nga të gjitha etnitë në vend”, tha Valon Sadiku, BDI.

Stoilkoviq në të kaluarën e ka quajtur Kosovën “Kosova dhe M.” Ai nuk e ka fshehur asnjëherë afërsinë e tij me politikanët serb dhe qarqet ruse.

Në maj 2023, Stoilkoviq mori pjesë në Samitin e 11 të Sigurisë në Moskë në shoqëri të drejtorit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiq dhe presidentit të Republikës Serbe. Në fotografinë kolektive duket edhe shefi i Shërbimit Sekret të Federatës Ruse, Sergej Naryshkin.

Stoilkoviq njihet edhe mik i afërt i ish-agjentit serb Goran Zhivaljeviq i cili më 27 prill 2017 ishte futur gjatë dhunës në Kuvend, incident diplomatik pas të cilit u tërhoq nga BIA serbe.

Gjenocidin e Srebrenicës, në një postim në profilin e tij në rrjetet sociale e quajti “Diznilend nekrofil”, në periudhën kur ishte deputet në Kuvend.

Ndaj tij, dy subjekte boshnjake të vendit, Bashkimi Demokratik Boshnjak dhe shoqata e Këshillit Nacional Boshnjak kanë ngritur kallëzim penal për mohimin dhe tallje me gjenocidin në Srebrenicë.

Stoilkoviq kishte thurur lavde për terroristët e vrarë serbë në Banjskë të Zveçanit.

Ai ishte i vetmi që refuzoi pjesëmarrjen në mbledhjen e përbashkët të qeverive Kosovë-Maqedoni.

Milorad Dodik, i cili është listën e zezë amerikane për shkak të aktiviteteve korruptive dhe destabilizuese në rajon, është i njohur edhe si mbështetës fanatik i politikave të Moskës zyrtare.

Dodik në ceremoninë e organizuar në Shkup ka thurur elozhe Rusisë dhe është shprehur kundër NATO-s dhe BE-së. Nga fjalimi i Dodik u distancua kryeministri Hristijan Mickoski. “Nuk prisja që ai të keqpërdorte ngjarjen,” tha Mickoski, raporton Alsat.

Në ngjarje, i pranishëm ishte edhe ambasadori rus Sergej Bazdnikin, si i ftuar i veçantë në akademinë e organizuar nga Stoilkoviq.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA