Rruga “Shani Pallaska” e vetmja e pa asfaltuar në Gjakovë, banorët fajësojnë autoritetet lokale për neglizhencë

Banorët e 30 shtëpive në rrugën “Shani Pallaska”, e cila ndodhet në afërsi të qendrës së qytetit të Gjakovës, pothuajse çdo ditë, për vite me radhë po përballen me vështirësitë të cilat po ua sjellë kjo rrugë, raporton EO.

Fakti se ankesat e kërkesat e pandalshme për rregullimin e infrastrukturës së saj, e cila do t’ia lehtësonte jetesën qytetarëve të cilët jetojnë aty, nuk po merren parasysh, po i shqetëson shumë banorët.

Haxhi Sallahaj, banor i kësaj lagje ka thënë për Ekonomia Online se rruga në këtë gjendje është që nga pas lufta dhe se e njëjta është duke u sjellë shumë vështirësi.

Ai ka shtuar se kjo lagje ka mbetur e vetmja pa u asfaltuar në Komunën e Gjakovës, teksa shton se problemet me të cilat përballen janë pluhuri, si dhe vështirësimi i qarkullimit kur ka reshje shiu.

“Shumë po na sjell vështirësi, por e shini vetë qysh është rruga me xhip edhe nuk mundesh me hy, e lëre më kerri i vogël. Gjithë na kanë premtuar se bëhet rruga, do të rregullohet. Një shtëpi është më lart, atje e kanë dërguar asfaltin. Kemi bërë kërkesë, na kanë thënë sivjet, sivjet, çdo vit sivjet do të bëhet. Kjo kështu është që nga pas lufta, kurrë nuk e kanë përmirësuar. Premtime ka, punë hiq, e vetmja lagje në Gjakovë që është me këtë pamje që jeni duke e parë. Kur ka reshje nga uji nuk mund të dalin fëmija, duhet me kerre që t’i dërgojmë fëmijët në shkollë se nuk mund të dalin nga uji. Me na thënë se nuk mund ta bëjmë, ne mobilizohemi e bëjmë vetë lagja”, tha Sallahaj për Ekonomia Online.

Ndërsa, një banor tjetër, Halil Gashi ka thënë se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për rregullimin e kësaj rruge, të njëjtit po neglizhohen nga Komuna.

“Vështirë na, fëmija nuk po munden me dal më tepër, pa çizme nuk mund të dilet si të bie shi. Premtime kemi boll, unë vetë kam folur me Gjini (kryetarin e Gjakovës) në zgjedhjet e kaluara. Brenda dy jave do të fillojë na kanë thënë, nuk ka filluar a jeni duke parë po bëhen katër vite. Diçka është duke e penguar se çka nuk jemi duke e ditur. Ne kemi bërë protesta, kemi shkuar disa herë në komunë, na ka thënë do të vijmë, do të fillojmë, projekti është i përfunduar të gjitha. Punët nuk po bëjnë”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Ekonomia Online ka kontaktuar me drejtorin e Infrastrukturës në Gjakovë, Shkumbin Kastrati, por i njëjti nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA