Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, i është përgjigjur Bashkimit Evropian me tri qartësime sa i përket aksionit të Policisë së Kosovës në mbylljen e strukturave paralele në disa rajone të mërkurën, i cili u bë pa koordinim me Prokurorinë e Shtetit.
Bajrami ka sqaruar se ato struktura ishin ilegale të drejtuara nga Serbia, se s’ka marrëveshje mbi ato dhe që aksioni nuk nxiti tensione.
“Për sqarim: Nuk ka struktura të mbështetura nga Serbia në Kosovë; ato ishin struktura ilegale të drejtuara nga Serbia. Nuk ka asnjë marrëveshje që përcakton negociatat për të ardhmen e këtyre strukturave. Sot, operacioni i Policisë së Kosovës nuk shkaktoi tensione”, ka shkruar Bajrami në platformën X.
Bashkimi Evropian ka kritikuar Kosovën për shkak të mbylljes së strukturave paralele, pasi siç ka thënë, mbyllja e strukturave “të mbështetura nga Serbia” bien ndesh me detyrimet e saj ndaj BE-së. Në reagimin e BE-së u tha se përderisa konkluzionet janë se BE-ja do të heqë gradualisht masat paralel me hapat e Kosovës për depërshkallëzim të tensioneve në veri, “këto veprime nuk janë të favorshme për këtë qëllim”.
BE-ja ka thënë tutje se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia parashikohet të zgjidhet përmes dialogut.
Policia e Kosovës të mërkurën ka mbyllur komunat paralele serbe në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyra tatimore ilegale.
For clarification:
• There are no Serbia supported structures in Kosova; these were Serbia-run illegal structures
• There’s no agreement stipulating negotiations over future of these structures
• Today’s Kosova Police operation didn’t cause any tensionshttps://t.co/EcUq8f4qvB— Agron Bajrami (@AgronBajrami) January 15, 2025