Vëllai i viktimës Liridona Ademaj, Leonard Ademaj, pas konferencës për medie të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ku u bë e ditur ngritja e aktakuzës ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve, tha se e mirëpresin ngritjen e aktakuzës, ndërsa presin dënim kapital për të akuzuarit.
“Në emër të familjes ju falënderojmë të gjithëve, e falënderojmë edhe prokurorinë dhe hetuesinë. Ne kemi besuar në drejtësi dhe vazhdojmë të besojmë. Ajo çfarë duam ne është që gjykata sa më shpejt të vendosë një dënim kapital që të lehtësojë zemrat tona sado pak dhe fëmijëve të saj”, tha Ademaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai theksoi se aktakuzën nuk e kanë pranuar ende dhe se nuk e dinë se cili është motivi, teksa theksoi se takohen me fëmijët dhe se ata kanë kuptuar gjithçka.
“Gjendja e tyre nuk është edhe aq e mirë. Për këtë çështje kujdeset shteti i Suedisë, ata e dinë më mirë sepse kanë psikologë, kanë njerëz adekuat që merren me këtë çështje, por çfarë shohim ne është se janë shumë të mërzitur”, tha tutje Ademaj.
Ndyrshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një konference për medie të mërkurën, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës, Granit Plavës dhe Tom Dodajt për vrasjen e Liridona Ademajt, më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës.
Prokurorja e rastit flet për motivet që çuan në vrasjen e Liridona Ademajt