Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka akuzuar Beogradin zyrtar për diskriminim agresiv të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, pasi Këshilli i Lartë i Gjyqësorit në Serbi ka emëruar së fundmi Aleksandra Kuzmanoviqin në krye të Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë.
Në një postim në rrjetin X, Bislimi ka thënë se ky vendim thellon margjinalizimin e profesionistëve shqiptarë, duke përforcuar pabarazitë në institucionet vendimmarrëse.
“Tre zëvendësprokurorë shqiptarë në pension janë zëvendësuar me serbë. Në rrethin e Pçinjës shqiptarët zënë vetëm 12% të posteve gjyqësore dhe përbëjnë vetëm 2.7% të gjyqtarëve pavarësisht se përbëjnë 30% të popullsisë. Në vitin 2011 është shpërbërë edhe Gjykata Themelore (Komunale) në Preshevë”, ka shkruar Bislimi.
Ai ka përkujtuar se ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shtëpisë shëndetësore të Preshevës ka qenë mjek serb për dy vjet, ndërsa serbët përbëjnë vetëm tre për qind të popullsisë së zonës.
“Angazhimi i Serbisë për të drejtat e pakicave është jo-ekzistues. Është urgjente që BE të reagojë dhe të ndalojë këtë diskriminim agresiv”, ka porositur Bislimi.
Në Serbi jetojnë mbi 60.000 shqiptarë, sipas regjistrimit të popullsisë më 2022. Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc ankohen për pasivizimin e adresave të banimit duke protestuar disa herë.
Serbia ka përcaktuar me ligj qe nga 2011 pasivizimin e adresës së banimit. Nëse vërtetohet se një banor nuk jeton në adresën e tij, merret vendimi për pasivizimin e saj.