Një numër anëtarësh të NATO-s janë duke pritur që administrata e re e Shteteve të Bashkuara të merr detyrën përpara se të vendosin për kërkesën e Ukrainës për t’u ftuar në aleancën transatlantike të udhëhequr nga SHBA-ja, deklaroi sot ministrja e Jashtme e Letonisë.
Baiba Brazhe, një ish-zyrtare e lartë i NATO-s, tha se ushtria e fortë e Ukrainës do të ishte një pasuri për NATO-n dhe se vendi i saj do të ishte në favor të ftesës për anëtarësim nëse një vendim është në tryezë.
“Një numër vendesh nuk ndihen domosdo rehat duke ftuar një vend në luftë për t’u bashkuar me NATO-n. Ne jemi më fleksibël,” tha Brazhe në margjinat e takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s.
“Në parim, ne si udhëheqës politikë kemi rënë dakord që Ukraina të bëhet anëtare. Pyetja është: nga çfarë varet ajo datë dhe është e qartë se aleanca duhet të mblidhet atje. Të gjithë aleatët aktualisht presin që administrata e re amerikane të fillojë të punojë, kështu që mendoj se ky aspekt, pavarësisht nëse është folur apo jo, është realitet”.
Ukraina i ka bërë thirrje NATO-s të lëshojë një ftesë në një takim në Bruksel këtë javë, por kjo duket e pamundur për shkak të kundërshtimit nga disa vende dhe transferimit të pushtetit në Uashington.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump kishte paralajmëruar se do t’i jepte fund luftës së Rusisë me Ukrainën brenda një dite, por planet e ekipit të tij janë ende të paqarta.