Bashota: Sa mbajë mend, Veseli nuk është caktuar nga Shtabi i Përgjithshëm që të shkojë në Rambuje

Dëshmitari Sokol Bashota tha sot në Hagë se sa e mban mend që Kadri Veseli nuk ishte caktuar nga Shtabi i Përgjithshëm që të marrë pjesë në takimet në Rambuje.

Ai tha se e di që është përmendur që Veseli ka shkuar atje por që nuk e ka pasur si informacion të drejtpërdrejtë, “Betimi për Drejtësi”.

“Në Rambuje kam degju por nuk e di nga kush më është thanë. E di që është përmend që është Veseli atje, por sa mbajë mend nuk ka qenë i caktuar me shku nga Shtabi i Përgjithshëm. Në çfarë forme ka shkuar nuk e di. Me kanë është konsultuar nuk e di, por me duket kam dëgjuar që ka qenë në Rambuje dhe informacion direkt për të nuk kam pas”, tha Bashota.

Përpara kësaj, Bashota tha se është informuar nga Bislim Zyrapi se Veseli duhet të shkojë jashtë vendit lidhur me detyrën e re në shërbimin e informimit.

“Me ka informu Bislim Zyrapi në kohë të lirë kur kemi bisedu ashtu se Veseli duhet me i taku shërbimet e huaja dhe me i marrë trajnimet e nevojshme për këtë detyrë për arsye se është një sektor i ri që po hynë në organizimin e UÇK-së dhe thjeshtë i duhet përgatitja e nevojshme për këtë fushë. Z. Veselin ma nuk e kam pa një kohë të gjatë”, tha ai

Pas kësaj, Dixon tha se ‘po është kthyer pas Rambujesë dhe për këtë do të flasim më vonë”.

Dëshmitari tha se nuk e din në rast se ka qenë i pranishëm Veseli në atë takim por që aty është përmend edhe formimi i G2-shit dhe disa G-ve të tjera që ishin prezantuar përmes një organogrami nga Bislim Zyrapi.

“Se besoj që kanë mujt me pas najherë kontakt me ta”, tha dëshmitari kur u pyet se ai apo dikush nga Shtabi i Përgjithshëm kanë mbajtur kontakte me Kadri Veselin gjatë kohës sa tashmë i akuzuari ishte jashtë Kosovës në atë kohë.

Ai tha se nuk e din nëse në Shtabin e Përgjithshëm ka pasur ndonjë sistem për ta informuar Veselin lidhur me ato se çfarë po ndodhnin aty.

Gjithashtu, Bashota tha se nuk i kujtohet nëse Veselit i është dërguar ndonjë raport nga Kosova ose Shtabi i Përgjithshëm lidhur me këto çështje.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një procesverbal që pretendohet se është nga takimi i Shtabit të Përgjithshëm në nëntor të 1998-ës në të cilën Bashota kishte identifikuar nënshkrimin e tij.

Aty thuhej se mbledhja e radhës është planifikuar që të mbahet më 5 janar 1999 për të cilën Bashota tha se nuk i kujtohet.

Bashotes iu kërkua të tregoj nëse është e vërtetë që gjatë kësaj periudhe Kadri Veseli ishte jashtë vendit.

“Nuk e di nëse ka qenë jashtë por unë e di që një kohë të gjatë nuk e kam taku Veselin. Nuk e di gjatë kohës së Rambujesë apo pas Rambujesë por nuk e kam taku kohë të gjatë”, tha Bashota.

Dëshmitari po ashtu tha se nuk i kujtohet nëse dikush i kishte raportuar Veselit se çfarë ishte diskutuar në këtë takim e po ashtu tha se s’ka informacion nëse Kadri Veseli kishte udhëzuar se çfarë të diskutohet në atë takim.

Në atë procesverbal shkruhej “Shërbimi Informativ- (Zv i Kadriut)”, dëshmitari e shpjegoi këtë gjë.

“Këtu me thanë të drejtën nuk muj me thanë se çka është bisedu në këtë rast por me siguri se në mungesë të Kadrisë ka pas me ardhë dikush tjetër. Ky vend iu ka lan shefit të informimit por në mungesë të tij me ardhë dikush tjetër kjo ka mundësi. Me u zëvendës Kadriu në këtë rast nuk ka për qëllim si zëvendës të Kadrisë si funksion, se s’ka pas mundësi në atë kohë Kadria me pas zëvendës të informimit. Me aq sa kam informacion unë nuk e di që është emëru dikush nga z. Kadri Veseli si zëvendës i Shërbimit Informativ. Kjo ka mundësi të jetë, por është një dokument që nuk e kam pa tash e sa vite edhe kjo para 20 e sa vite ka ndodhë, s’po muj me e përcaktu saktë”, tha Bashota.

Të i njëjti dokument ishte edhe një numër telefoni që nën të shkruhej “Luli” e që prefiksin sipas avokatit e kishte zviceran. Dëshmitari tha se nuk e mbanë mend se i kujt ka qenë e po ashtu që nuk i kujtohet nëse ndonjëherë kishte kontaktuar në këtë numër.

Ai tha se nuk e din se pse ai numër ndodhej aty por që ka mundësi që të shkruhej edhe më vonë.

Dëshmitari tha se mendon që ky dokument nuk është zyrtar i Shtabit të Përgjithshëm pasi sipas tij nuk beson që do i kishte bërë këto ‘shkarravina’ që gjinden në të.

Megjithatë, dëshmitari tha se Kadri Veseli nuk ka qenë asnjëherë ministër në Qeverinë e Përkohshme pas dorëheqjes së tij nga Shtabi i Përgjithshëm në prill të 1999-ës. Sipas dëshmitarit, Veseli ka qenë shef i Shërbimit Informativ të Kosovës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA