Burim Hashani, zëvendësdrejtor për programet në MCA Kosova, në emisionin COMPASS në ATV, tregoi detaje mbi projektin inovativ për ruajtjen e energjisë në bateri, i cili synon të adresojë sfidat e furnizimit me energji elektrike në Kosovë.
Hashani tha se ky projekt është pjesë e Programit të Kompaktit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, që përfshin një investim fillestar prej 232 milionë eurosh.
“Është ndër projektet më të mëdha në sektorin e energjisë në tri-katër dekadat e fundit, me synim ruajtjen e energjisë elektrike dhe uljen e kostove”, tha Hashani.
Ai shtoi se bateritë do të instalohen në Istog dhe Ferizaj dhe do të përdoren për optimizimin e energjisë, veçanërisht gjatë periudhave të pikut.
“Bateria mundëson ruajtjen e energjisë kur kërkesa është e ulët dhe lëshimin e saj gjatë orëve të pikut, duke ulur ndjeshëm kostot”, theksoi Hashani.
Sipas tij, projekti është në fazën e përgatitjes së tenderit dhe pritet të përfundojë pas dy vitesh.
“Tenderi pritet të lansohet në qershor ose korrik, dhe pas përgatitjeve, bateritë mund të instalohen deri në dy vitet e ardhshme,” shtoi ai.
Intervistën e plotë me Burim Hashanin në emisionin COMPASS e gjeni në videon më poshtë: