Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi terrorist i 29 nëntorit në Zubin Potok, kishe synim shkaktimin e dëmeve të pariparueshme në infrastrukturën kritike të Kosovës, ngjashëm si sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, raporton Ekonomia Online.
I pari i qeverisë thotë se lidhur me këtë sulm, janë marrë një sërë masash për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës autorët e sulmit, si dhe për të evituar çrregullimet e furnizimit me shërbimet bazë për qytetarët e Kosovës.
“Në kontekstin kohor ashtu edhe vet natyrës së aktit, ky sulm duket që ka ndërlidhje me sulmet masive ajrore të federatës ruse kundër Ukrainës me që rast sulme këto që ishin të orientuara kundër infrastrukturës energjetike në Ukrainë. Një ditë para sulmit më datë 28 nëntor forcat ushtarake ruse me 188 raketa dhe dronë sulmuan infrastrukturën kritike të energjisë në Ukrainë duke i lënë pa energji elektrike në prag të dimrit”, ka deklaruar Kurti.
“Përgjatë dy ditëve të fundit kemi ndërmarrë një sërë masash për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës kryerësit e sulmit terrorist e kriminal në njërën anë, dhe për të minimizuar dëmin në infrastrukturë, e për të evidentuar e evituar çrregullimin e furnizimit me shërbime bazë për qytetarët e Kosovës në anën tjetër”, tha Kurti.
“Pesha e pasojave të këtij sulmi po të arrinte qëllimin e tij do të ishte marramendës. Ky sulm kishte për qëllim të shkaktonte dëme të pariparueshme në infrastrukturën kritike të Kosovës, duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare, dhe duke ç’rregulluar jetën e të gjithë qytetarëv etë vendit tonë”.
Tutje, shefi i ekzekutivit tregoi dhe pasojat nëse ky sulm do të realizohej me sukses.
“Po të arrihej qëllimi, ky sulm terrorist do të shkaktonte potencialisht për javë të tëra ndërprerje të energjisë nga Termocentrali Kosova B, duke lënë pa energji elektrike mbi gjysmën e popullatës të Kosovës, dh epa ngrohje 130 mijë qytetarë të Prishtinës. Më tej do të kishim ndërprerje të furnizimit të fabrikave të ujit në Shkabaj, Drenas, Shipol dhe Balincë, duke lënë pa ujë mbi 300 mijë qytetarë të Mitrovicës së Jugut, Skenderajt, Vushtrrisë, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit, e duke rrezikuar furnizimin për mbi 300 mijë të tjerë në Prishtinë”, tha Kurti.
“Dhe tjetra, për javë të tjera, potencialisht do të ngeleshim pa energji elektrike, e kësisoj do të rrezikoheshin edhe shërbime të tjera kritike, që varen nga energjia elektrike, sikurse telekomunikimet”.
Kryeministri theksoi gjithashtu se sulmi në veri dhe sulmet në Ukrainë ndajnë ngjashmëri, duke përfshirë sulmin ndaj stacionit policor në Zveçan dhe ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.
Ai ka deklaruar se gjatë kontrolleve të zhvilluara nga Policia e Kosovës, u gjetën emblema të njësive ushtarake ruse, përfshirë flamuj të përdorur nga Rusia në shekujt 18-19, si dhe pajisje ushtarake të shumta.
“Në të njëjtën kohë kemi sulmin në ndërtesën e Komunës në Zveçan dhe sulmet në Ukrainë, ne Zveçan dy ditë para kësaj kishim sulmin kundër stacionit policor dhe tash infrastruktura krikë në veri sikurse në Ukrainë. Për të bërë më të dukshme këtë ndërlidhje është edhe akti që gjatë kontrolleve të zhvilluara nga Policia e Kosovës në lokacione të ndryshme përveç armëve dhe pajisjeve të shumta ushtarake u gjetën dhjetëra emblema të njësive ushtarake ruse, këto emblema u përkasin kryesisht njësive të specializuara për kryerjen e operacioneve të veçanta ushtarake, përveç këtyre u gjetën edhe flamuj krahu perandorak rus, flamur ky i përdorur nga Rusia e shekujve 18 – 19”, ka deklaruar ai.
Kurti theksoi se Serbia po përpiqet të kopjojë metodat ruse për të sulmuar Kosovën dhe rajonin, por këto përpjekje dështuan, duke theksuar forcën e Kosovës që mbështetet në vlerat demokratike perëndimore dhe partneritetet ndërkombëtare.