Sundimtarët e rinj të Sirisë raportohet se u kanë dhënë poste të larta ushtarake disa luftëtarëve të huaj islamikë, përfshirë një shqiptari nga Maqedonia e Veriut. Kjo ka rritur frikën në vendet e origjinës të luftëtarëve për një eksport të mundshëm të revolucionit në tokën e tyre.
Përveç shqiptarit me origjinë nga Maqedonia e Veriut, Reuters dhe AFP, duke u thirrur në burime brenda Sirisë, kanë raportuar se edhe një shtetas i Taxhikistanit dhe tre ujgurë kinezë janë në mesin e të huajve që janë promovuar në poste zyrtare.
Atyre u është dhënë grada e gjeneral-brigadier dhe të paktën një prej tyre ka marrë postin e kolonelit sipas raportimeve që Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur.
Abdul Samrez Jashari, i lindur në Maqedoninë e Veriut – i njohur edhe si Abu Qatada al-Albani – në një profil në Facebook, që besohet se ai qëndron pas tij, ka shkruar se ka marrë gradën e kolonelit, shkruan REL.
Jashari, 48 vjeç, është udhëheqës i “Xhemati Albani”, i cili është një grup militant i përbërë kryesisht nga shqiptarët etnikë.
Ky grup ka aleancë me Hayat Tahrir al-Sham (HTS) – grupin islamist të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që rrëzoi nga pushteti presidentin sirian, Bashar al-Assad në dhjetor të vitit 2024.
Abdul Jashari që nga viti 2016 është i sanksionuar nga SHBA-ja. Sipas vendimit të Thesarit, ky këshilltar ushtarak është sanksionuar si njëri nga liderët e Al-Nusrës, degë e Al-Kaidës në Siri, dhe ka ndihmuar në mbledhjen e fondeve për familjet e luftëtarëve të Nusrës.
Një tjetër luftëtar i huaj i emëruar kolonel u identifikua nga blogerët taxhikë, të afërt me forcat e HTS-së, si Saifiddin Tojiboev, luftëtar nga Taxhikistani.
REL-i nuk ka mundur të verifikojë autenticitetin e raportimeve lidhur me emërimin e supozuar të Tojiboevit si komandant i operacioneve dhe promovimin e tij nga major në kolonel.
Një burim nga sektori i sigurisë në Taxhikistan, i tha REL-it se Qeveria e këtij shteti është në dijeni për lajmin lidhur me emërimin e ri të Tojiboevit.
Tojiboev, 41 vjeç, është person i kërkuar në Taxhikistan dhe akuzohet se ka marrë pjesë në një konflikt të huaj, se është anëtar i një organizate terroriste dhe se ka rekrutuar luftëtarë për grupe terroriste. Ai po ashtu është në listën e sanksioneve të Bankës Qendrore taxhike, ku i ndalohet që të kryejë aktivitete financiare.
“Tojiboev dhe i vëllai kanë shkuar në Siri më 2013 dhe që atëherë kanë marrë pjesë në konflikte ushtarake atje”, tha në burim në Dushanbe për REL-in. “Tojiboev po ashtu ka rekrutuar disa shtetas taxhikë që t’iu bashkohen organizatave terroriste”.
Tojiboev ishte anëtar i Partisë së Rilindjes Islame të Taxhikistanit (IRPT), një lëvizje dikur popullore në Dushanbe, e cila më 2015 u ndalua dhe u shpall terroriste. Kjo parti ka mohuar akuzat për terrorizëm.
HTS-ja ende zyrtarisht nuk ka bërë ndonjë deklaratë publike lidhur me emërimin në poste të luftëtarëve të huaj.
Ky grup islamik është zotuar se do të aplikojë politika të moderuara sa u përket të drejtave të grave, është zotuar për pajtim kombëtar dhe raporte me komunitetin ndërkombëtar. Po ashtu, HTS-ja po tenton të krijojë një ushtri profesionale duke përfshirë persona nga fraksione të ndryshme militante që janë aleatë me të.
Në HTS bëjnë pjesë një numër i madh i luftëtarëve nga Rusia, Azia Qendrore dhe Ballkani. Shumica e tyre shkuan në Siri pasi grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS) ishte njoftuar për krijimin e kalifatit në pjesë të Sirisë dhe Irakut më 2014.
Shqetësime në vendet e origjinës
Në shtetet e tyre të origjinës, shumë nga këta luftëtarë shihen si kërcënime potenciale për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare.
Adrian Shtuni nga Qendra Ndërkombëtare Kundër Terrorizmit në fund të vitit 2024 i tha Radios Evropa e Lirë se nuk beson se tani mund të rriten interesat e luftëtarëve shqiptarë për t’u kthyer në vendet e tyre, edhe pas rënies së regjimit të Assadit.
“Nuk jam i sigurt që ata do të donin të ktheheshin, pasi këta persona janë të fokusuar, kanë një prapavijë xhihadiste, kanë rrezikuar jetën për synimet e tyre ideologjike, të cilat nuk i kanë fshehur”, deklaroi, duke shtuar se disa prej tyre mund të kenë ambicie për pozita në qeverisjen e re në Siri.