Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Vetëm 54 mësimdhënës i janë nënshtruar vullnetarisht provimit për pajisje me licencë të avancuar, muajin e kaluar.
36 prej tyre ishin të ciklit klasor, 3 mësimdhënës të Gjuhës shqipe dhe 15 të Matematikës.
Kjo pjesëmarrje e vogël, sipas njohësit të arsimit, Rinor Qehaja, reflekton pasiguri.
“Vet frika se mos nuk po i arrijnë pikët e nevojshme i ka ngjallë mosbesim”, tha Qehaja.
Kriterin e kalueshmërisë prej 80% e arritën vetëm shtatë mësimdhënës, pesë nga cikli fillor, një i matematikës dhe një i gjuhës shqipe. Kjo i bie vetëm 13% e gjithë kandidatëve.
Në provim ishin gjithsej 38 pyetje, 20 të fushës profesionale dhe 18 të fushës pedagogjike. Më shumë se gjysma e tyre lidhej me kurrikulën.
Sindikata e Arsimit, në bazë të këtyre rezultateve, tash kërkon më shumë angazhim nga Ministria.
“Duhet me dalë ministria me i cek, këtu ka pas më pak pikë në këtë fushë dhe t’i spikatin ato duke krijuar rrethana në përmirësimin e tyre”, tha kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari.
ATV-ja kupton se gjatë janarit, kandidatët që tashmë janë pajisur me licencë të avancuar, do të vlerësohen edhe nga inspektorati i Arsimit ku përfshihen, Vlerësimin e portfolios profesionale me 42 përqind të pyetjeve dhe Vëzhgimin në klasë – Vlerësimin e orës mësimore, 58%.
Pasi ta kalojnë këtë fazë, kandidatëve do t’u rritet koeficienti i pagës për 1.2 njësi.