Sot (e premte) është hedhur shorti për ndeshjet e ‘play-off’-it në Ligën e Kombeve, ku Kombëtarja e Kosovës ka mësuar tashmë kundërshtarin.
Dardanët e dinë tashmë se me kënd do të ndeshen në ‘play-off’-in për promovim në Ligën B, pas përfundimit në pozitën e dytë të grupit në Ligën C.
Pas shortit të hedhur në Nyon të Zvicrës, fati deshi që Kombëtarja e Kosovës të shortohet me kombëtaren e Islandës.
‘Play-off’-et e Ligës B/C dhe ‘play-off’-et e Ligës A/B, si dhe çerekfinalet e Ligës A, në parim do të zhvillohen të gjitha të enjten më 20 dhe të dielën më 23 mars 2025.
Ndryshe, Islanda përfundoi e treta në Grupin 4 të Ligës B të Ligës së Kombeve, pas Uellsit dhe Turqisë.
Islanda në letër është kundërshtari më i lehtë, ndërsa zë vendin e 70-të në renditjen e FIFA. /Telegrafi/