Përgatiti: Driton Sadiku
Derisa zgjedhjet po afrohen, diskursi politik sa shkon e ashpërsohet.
Mospajtimet politike shpeshherë kalojnë në sulme, ofendime e linçime nga politikanët.
Kjo formë e debatit zhvillohet gati në secilën seancë të Kuvendit, por shpesh edhe jashtë saj.
Andaj një gjuhë e tillë po konsiderohet e papranueshme.
“Besoj që është e dëmshme për shoqërinë, sepse kultura demokratike po degradohet pastaj debati në vend se të zhvillohej për tema që janë me interes publik ne po kalojmë në sulme dhe lojë fjalësh dhe rezultati është zero”, tha profesori Dren Gërguri.
“Është gjuhë krejtësisht e papërshtatshme në komunikimin politik dhe kjo gjuhë ndikon në prishjen e klimës politike. Nuk është e politikanit që të përdorë terma kriminel apo hajdut, sepse në instancë të fundit për këtë vendos gjykata”, tha profesori Gëzim Qerimi.
E në vend të sulmeve, sipas opinionistëve, partitë e politikanët do të duhej të fokusoheshin te programet qeverisëse.
“Mendoj që politikanët duhet shumë më shumë të përqendrohen te programet politike, tek ofertat e tyre dhe nëse kanë akuza ndaj njëri-tjetrit t’i bazojnë në fakte”, shtoi Qerimi.
“Po e lënë anash pastaj programin e cilësdo parti dhe asaj se çfarë mund të ofrojë në këtë fushatë, ose edhe çka po shpaloset gjatë kësaj para fushatë”, tha Gërguri.
Sidoqoftë, dëmtimi i imazhit të tjetrit me qëllim përfitimin e votave, sipas njohësve të fushës vlerësohet se do të duhej t’i penalizojë e jo t’i favorizojë ata që e përdorin.