Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Një vendim gjykate u shpërfill të mërkurën nga Komuna e Prishtinës.
Më 18 shtator, Gjykata Komerciale kishte marrë vendim për hapjen e rrugës “Rexhep Luci” dhe disa të tjerave përreth për qarkullimin e mjeteve motorike.
Por, Komuna e Prishtinës e injoroi vendimin, derisa ndezi ekskavatorët për krijimin e një minisheshi.
“Kemi pasur takime me qytetarë, një pjesë janë kundër, por shumica janë pro. Normal që punojmë për të mirën e qytetarëve”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Mirëpo, në sqarimin e Gjykatës thuhet se kryetari kishte realizuar konsultime vetëm me një rreth të ngushtë të palëve të interesit. Dëshmitar është Mentor Dobruna, përfaqësuesi i banorëve të rrugës “Rexhep Luci”, i cili nuk qe i thirrur gjatë takimeve.
“Nuk e di si ka mundë me i fillu punimet duke i pasë gjithë ato argumente që nuk duhet me veprua këtu, tash asnjë qasje askund hiç ai është për qytetarët, kur qytetarët i thonë nuk po na konvenon kjo s’di ka të drejtë ai të vazhdojë”, tha përfaqësuesi i banorëve të rrugës “Rexhep Luci”, Mentor Dobruna.
Përveç ekonomive familjare, tash me bllokimin e tërësishëm të hyrjes së vetme në këtë pjesë, po dëmtohen edhe bizneset.
“Ka me qenë problem mu furnizua, nuk kemi alternativa të tjera, ky punim është shumë i dyshimtë ka pasë dyshime gjatë gjithë kohës…”, tha pronari i një biznesi, Afrim Islami.
Ndërkaq, përpjekjet për ndalimin e punimeve në këtë rrugë do të vazhdojnë.
“Kemi me i mbledhë prapë disa peticione, kemi me dorëzua edhe padi, nuk mundemi me lejua me u punua diçka këtu, pa miratimin e banorëve rezidentë”, tha Mentor Dobruna, përfaqësuesi i banorëve të rrugës “Rexhep Luci”.
Ndërkaq, punimet për krijimin e një minisheshi në rrugën “Rexhep Luci” parashihet të përfundojnë brenda 120 ditësh dhe kostoja e projektit kap shifrën e mbi 1.3 milionë eurosh.