Kryeministri Albin Kurti të mërkurën ka prezantuar furnizimet e fundit me armatim për FSK-në, duke theksuar se investimet për forcimin e kapaciteteve ushtarake do të vazhdojnë, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka shpërndarë një video në Facebook ku prezanton furnizimet më të fundit me armatim për Ushtrinë e Kosovës.
Ai ka njoftuar se gjatë mbrëmjes së të martës ka vizituar një nga depot e FSK-së, ku janë depozituar armatimet më të reja.
“Jam jashtëzakonisht i gëzuar për këto blerje që janë realizuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja. Falënderoj nga zemra komandantin e ushtrisë, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për arritjet e tyre që, për një kohë rekord prej më pak se 10 muajsh, kanë realizuar këto furnizime”, ka deklaruar Kurti në videon e publikuar.
Ai ka theksuar se armatimi modern është vetëm një pjesë e furnizimeve të vazhdueshme që po bëhen për forcën e Kosovës, duke siguruar kështu mbështetje për rritjen e kapaciteteve ushtarake.