Kryeministri i vendit Albin Kurti ka theksuar se sulmi terrorist në kanalin ujor në “Ibër-Lepencit” më 29 nëntor ka pasur qëllim ta rrezikojë sigurinë kombëtare të vendit tonë. Kryeministri Kurti theksoi po ashtu se prapa këtij sulmi, qëndron terroristi Milan Radoiçiq.
Ai në një konferencë për media sot, theksoi se m shpërthimin eksplozivë në kanalin “Ibër-Lepenc”, grupit terrorist, siç shprehet ai, i prin “Milan Radoiçiqi që kishte për qëllim ta paralizonte edhe jetën ekonomike dhe energjetike në Kosovë”.
“Bazuar në informacionet inteligjente që i posedojnë institucionet e sigurisë prapa urdhrit për sulmin me eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit qëndron Milan Radoiçiqi dhe grupi i tij terrorist që po mbështete dhe po strehohet nga Serbia. Për planifikimin, financimin dhe logjistikën e sulmit ka përgjegjësi shteti i Serbisë. Sulmi është planifikuar paraprakisht nga Milan Radoiçiq. Për realizmin e tij bazuare në të dhënat e deritanishme janë përfshirë dy grupe në kuadër të organizatës civile ‘Mbrojtja civile’ e cila financohet nga Serbia dhe trajnohet në vazhdimësi atje. Grupi i parë ka ofruar mbështetje logjistike në terren. Ndërkaq, grupi i dytë disa persona profesionistë ku besohet se ka pasur persona edhe nga struktura të sigurisë së Serbisë të afërta me Milan Radoicic janë përfshirë në realizmin e sulmit… Sulmi me eksploziv në kanalin Ibër-Lepenc të datës 29 nëntor 2024 përmes dëmtimit të tërësishëm të kanalit ka pasur për qëllim paralizimin e jetës ekonomike dhe energjetike në Republikën e Kosovës si dhe shkaktimin e trazirave të cilat do të vinin si pasojë si dhe do të rrezikohej siguria nacionale në Kosovë dhe do të provokohej situata në rajon”, theksoi Kurti.
Sipas kryeministrit Kurti, sulmi terrorist i 29 nëntorit në kanalin Ibër-Lepenc është vazhdimësi e akteve terroriste dhe aktiviteteve të tjera destabilizuese të kryera nga mekanizmat e ndikimit të Serbisë në Kosovë, përfshirë organizatat terroriste serbe.
“Pas sulmit Milan Radojqiq tek rrethi i afërt i tij ka shprehur pakënaqësi lidhur me rezultatet e sulmit, pasi që pritjet e tij kanë qenë që kanali të dëmtohet tërësisht dhe pakthyeshëm. Sulmi terrorist i 29 nëntorit 2024 në kanalin Ibër-Lepenc është vazhdimësi e akteve terroriste dhe aktiviteteve të tjera destabilizuese të kryera nga mekanizmat e ndikimit të Serbisë në Kosovë, përfshirë organizatat terroriste serbe. Duke marrë parasysh se aktet e këtilla terroriste kërkojnë përgatitje profesionale, diversion si dhe faktin se Milan Radoiçiq përkrahet edhe nga strukturat shtetërore të Serbisë vlerësohet se edhe shpërthimi i kanalit të Ibër Lepencit është përkrahur me planifikim dhe logjistikë nga shteti i Serbisë. Sulmi pothuajse ka qenë i pa mundur që të kryhet nga grupi terrorist i Radoiçiqit pa qenë në dijeni e nën mbështetje vetë shteti i Serbisë”, tha Kurti.
Sipas tij, të dhënat që i posedojnë institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës qojnë në një përfundimin se përmes kombinimit të sulmit terrorist me dezinformata dhe propagandë, Serbia po synon që publiku me këtë rast të humbasë besimin në institucionet e Kosovës. Ai shtoi se sulmet mund të synohet të realizohen varësisht nga interesat politike të kreut të shtetit serb.
“Të ngritën hipoteza që synojnë përçarjen brenda vendit dhe krijimin e paqartësive për sulmuesit në opinionin ndërkombëtar…sulmet mund të synohet të realizohen varësisht nga interesat politike të kreut të shtetit serb, posaçërisht tensionet e brendshme në Serbi protestat e vazhdueshme opozitare atje”, theksoi Kurti.
Më 29 nëntor të këtij viti në Varagë, një sulm me 15 kilogramë eksplozivë shkaktoi shpërthim të madh në kanalin e “Ibër-Lepenc”, që furnizon me ujë disa qytete të vendit, për të cilin institucionet e Kosovës e kanë bërë përgjegjëse Serbinë. Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe QUINT kanë dënuar sulmin, duke kërkuar që autorët të nxirren para drejtësisë. Për shpërthimin e 29 nëntorit deri tani janë dy serbë që po mbahen në paraburgim./kp