Përgatiti: Driton Sadiku
Sipas opozitës, propozimet e saj kurrë nuk ia mbushën syrin pushtetit.
Gjatë katër vjetëve të Qeverisë Kurti II, asnjë amendament nuk u mor parasysh.
“Ne kemi propozuar amendamente të ndryshme, sepse jemi përfaqësues të popullit sepse ata na kanë besuar për t’i përfaqësuar në Kuvend, ata kanë bërë diskriminim, ata i kanë 51 për qind, por mbetet edhe një përqindje tjetër që jemi përfaqësues të qytetarëve dhe asnjëherë nuk i kanë marrë parasysh amendamentet, asnjëherë për katër vjet”, tha deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.
Mospërfillja e amendamenteve të opozitës po kritikohet edhe nga monitoruesit e punës së Kuvendit. Sipas Melos Kolshit, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, pushtetit duhet të punojë për të gjithë qytetarët e jo vetëm për votuesit e vet.
“Secila pozitë, secila qeveri e ka për detyrë që secilin deputet ta dëgjojë dhe t’i marrë parasysh ato shqetësimet që i ngrit ai deputet, për arsye se një qasje e tillë mospërfillëse për deputet është indirekt edhe qasje mospërfillëse edhe ndaj një grupi qytetarësh, të cilët i kanë dërguar qytetarët në Kuvend për përfaqësim”, tha Kolshi.
Andaj vlerësohet se duhet më shumë bashkëpunim mes deputetëve, në të kundërtën dëmtohet demokracia.
“Një qasje jobashkëpunuese mes deputetëve është një qasje e rrezikshme e cila dëmton demokracinë, dëmton sundimin e ligjit e gjithashtu dëmton edhe rendin kushtetues, andaj kjo qasje duhet të ndërpritet menjëherë”, tha Kolshi.
Para se mandati i kësaj legjislature të përfundojë, opozita do të bëjë edhe një tentim t’i çojë përpara propozimet e saj, teksa më 21 nëntor është paraparë miratimi në lexim të dytë i buxhetit për vitin e ardhshëm.