Përgatiti: Fatlum Jashari
inistrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është anëtarja e radhës e Qeverisë e cila u intervistua nga Prokuroria Speciale.
Pa treguar se për cilin rast, institucioni i ndjekjes konfirmoi se ministrja u ftua në cilësinë e dëshmitares.
“Ministrja Artane Rizvanolli, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.
Pas rreth tri orësh qëndrimi në Prokurorinë Speciale, ministrja nuk tha asnjë fjalë.
Fare pak tregoi edhe avokati i saj.
“Ministrja Rizvanolli është intervistuar në cilësinë e dëshmitares. Prokurori ka lexuar një paralajmërim se për shkaqe të hetimeve, detajet e hetimeve nuk duhet bërë publike, ngase çdo publikim paraqet vepër penale. Kështu që më shumë se kaq nuk mund të ju themi asgjë më shumë”, tha Artan Qerkini, avokat i ministres Artane Rizvanolli.
Nuk ka konfirmim zyrtar nëse ajo u intervistua lidhur me ndonjërin nga rastet e ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili ishte arrestuar në prill të vitit të kaluar dhe që, krahas hetimeve në proces, ndaj tij është ngritur aktakuzë, në një rast tjetër.
Emri i ministres përmendet në disa biseda të publikuara në media, që dyshohet të jenë ndërmjet Krasniqit dhe anëtares së LV-së, Dejona Mihali, e cila, po ashtu, u intervistua nga Prokuroria Speciale, në shtator.